2016-a, Viti i Bashkëjetesës dhe i Dashurisë
Medreseja e Tiranës në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe Prefekturën e qarkut Tiranë organizuan një aktivitet për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë. Me kontributet e mbledhura nga nxënësit e Medresesë u ndihmuan në ushqime 50 familje.
Drejtori i shkollës z.Omer Calis në fjalën e tij ndër të tjera tha se për të arritur paqen dhe rendin botëror është e nevojshme kultivimi i një gjenerate paqësore. Gjithashtu, ai theksoi se respekti dhe toleranca ndaj diferencave të njëri tjetrit, do të ishin të mjaftueshëm për një botë më të mirë. Krijuesi i ka krijuar njerëzit plotësues të njëri tjetrit dhe ai që dëmton të tjerët në fakt ka dëmtuar veten e tij.
Prefekti i Tiranës z.Sadi Vorpsi falenderoi institucionin tonë dhe në vecanti nxënësit për gatishmërinë e treguar për t’u ardhur në ndihmë ketyre familjeve. Në vijim të fjalës së tij ai përmendi rëndësinë e tolerancës dhe dashurisë për njëri tjetrin, gjëra këto që do të sjellin paqen në botë.
Në këtë aktivitet përshëndeti me fjalën e tij edhe nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z.Bujar Spahiu, i cili theksoi se solidarizimi me njerëzit në nevojë është detyrë morale dhe fetare për cdo person.