Ambasadori Ettore Sequi përballë studentëve

Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi mbajti një leksion të hapur me studentët e Universitetit Hëna e Plotë-BEDËR, mbi sistemin ligjor  të Bashkimit Europian dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve që përbëjnë këtë bashkim.

I ftuar në në kuadër të ciklit të leksioneve “sistemet ligjore të krahasuara”, të organizuara nga Departamenti i Drejtësisë, Ambasadori Sequi u shpreh i kënaqur që i jepet mundësia të komunikojë me studentët pasi ata janë e ardhmja  që do të vendosë për sfidat e vendit.

Z. Sequi u ndal në rëndësinë që i gjithë sistemi mbi të cilin është ngritur Bashkimi Europian, i jep zbatimit të ligjit dhe transparencës si një faktor kyç për demokracinë. Në leksionin e tij, z. Sequi prezantoi para studentëve , organet kryesore të bashkimit, që nga Këshilli i Bashkimit Europian , Komisioni Europian, Parlamenti Europian dhe deri te Gjykata Europiane e Drejtësisë që ndodhet në Luksemburg. Ai u ndal gjithashtu edhe në rëndësisnë e Traktatit të Lisbonës si një kuadër kushtetues që u dha zgjidhje mjaft çështjeve të diskutuara mbi politikën e jashtme dhe sigurisë të BE-së.  Z. Sequi u shpreh optimist sa i përket dhe tejkalimit të krizës që ka përfshirë disa vende të BE-së. Sipas tij historia e Bashkimit Europian ka kaluar shpesh momente krizash, ku euro-skeptikëk kanë vënë në dyshim eksitencën e unionit. Ai theksoi faktin se  mbështetja që BE i ka dhënë vendeve në vështirësi ekonomike, përveç ndihmës në kapërcimin e krizës nga këto vende, ka bërë që efektet e saj të ndjehen më pak edhe në vende si Shqipëria, ekonomia e të cilave është mjaft e lidhur me vendet e unionit.

Ndërkohë ambasadori Sequi iu përgjigj interesit të studentëve  në lidhje me porcesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duke theksuar se tashmë nuk është koha për të kërkuar fajtorin por për tu fokusuar në reformat e nevojshme për këtë proces. “ Unë jam i mendimit se duhet të mësohemi që gjërat mos i shohim bardh e zi. Problemi qëndron në faktin e mos ndërgjegjësimit për  të mirat që sjell anëtarësimi. Reformat që bën Shqipëria  duhet të shihen si një proces që pikë së pari i sjell prosperitet vetë popullit shqiptar. Këto reforma nuk bëhen për të kënaqur Bashkimin  Europian”. Kreu i Delegacionit Europian në Tiranë nuk la pa përcjellë dhe disa mesazhe të rëndësishme për studentët  duke inkurajuar ata që si profesionistë të rinj, të jenë  aktivë për të përgatitur shoqërinë përballë sfidave që do të sjellë anëtarësimi i Shqipërisë në BE.