Besimi dhe rruga drejt orientimit

nga Dorian DEMETJA

Krijuesi i Lartë, ekzistenca e të cilit është shkaku i ekzistencës sonë, e ka rrethuar gjithësinë me madhështinë e Tij. Qiejt dhe toka janë nga një përshndritje prej rrezatimeve të nurit të Tij. Ai është altari i amshuar i shpirtrave të përkryer që e kanë gjetur të vërtetën. Ai është e vetmja kible dhe i vetmi orientim. Ta lësh Atë për të vrapuar te dikush tjetër, është marrëzi, t’ia qash hallet dikujt tjetër veç Atij, është një vetëmashtrim. Ata që largohen prej portës së Tij, pësojnë disfatë të madhe dhe mbeten në rrugë, zemrat që nuk ndriçohen dot me dritën e Tij, ndjekin iluzionin optik në shkretëtirë dhe lodhen më kot.

Allahu i Lartë, zotërues i mirësisë dhe i favorit të pafund, veprat e të Cilit janë plot urtësi, i ka krijuar njerëzit dhe ka vënë si synim t’u tregojë atyre rrugët e lumturisë së të dy botëve. Parimet, urdhrat dhe ndalimet që do t’i çojnë ata në rrugët e lumturisë, ua ka bërë të njohura përsëri me anë të individëve të zgjedhur nga radhët e tyre, me anë të pejgamberëve. Pejgamberët kanë qenë komunikuesit e së vërtetës me fjalë dhe zbatuesit e saj në praktikë. Me që feja e Allahut është e përhershme dhe Hz. Muhamedi (a.s.) është profeti i fundit, pas vdekjes së tij kujt do t’i takonte detyra për njoftimin e së vërtetës me fjalë dhe vepra, për ta jetuar e për ta mbajtur të gjallë atë? Çdo të bëhej pas perëndimit të këtij dielli nga rruzulli tokësor drejt botës së përjetshme? Nuk ka dyshim se kjo detyrë e shenjtë u përket njerëzve të fesë në veçanti dhe të gjithë myslimanëve në përgjithësi.

Favori më i madh i Allahut, i Cili na bën të rrojmë në mes të mirave të pafundme, është përgjegjësia e amanetit që shprehet në Kur’an: “Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari i Allahut të jetë dëshmitar përmbi ju…” (Bekare, 143)

Në Islam, akti më i lartë pas besimit, siç dihet, është namazi. Në namazet që falim gjatë 24 orëve, bashkë me synetet, kapitullin Fatiha e përsërisim 40 herë. Në përsëritjen që i bëjmë një kapitulli të caktuar të Kur’anit në çdo rekat të namazit ka shumë urtësi. Një nga këto urtësi është kuptimi i thellë që përmban ajeti “Ihdinas-siratal mustekim” (Na udhëzo në rrugë të drejtë).Kërkesa për të hyrë në “Sirati Mustakim”, domethënë në rrugën e drejtë që të çon tek Allahu, do të thotë që, mbi gjithçka, të kërkosh të nderohesh me Islamin. Atëherë, ç’kuptim ka kjo lutje këmbëngulëse e përsëritur çdo ditë nga 40 herë, për një njeri që në fund të fundit është mysliman dhe fal namaz? Ajeti, argument i formës “A mos vallë njerëzit kujtuan se porsa që thanë ‘besuam’, do të mbeten të qetë në punën e tyre dhe s’do të pësojnë asnjë ngatërresë?”, na e bën të ditur këtë çështje dhe na lajmëron se njeriun, qoftë edhe pasi të ketë besuar, e presin shumë rreziqe dhe sprova.

Kjo botë plakë mbi të cilën jetojmë, është kthyer sot në një panair prej qindra idesh e rrymash ideore. Ekzistojnë miliona prezantues, propagandues të çdo ideje e rryme. Po të futeshin në hesap edhe mundësitë e komunikimit të epokës sonë, të cilat nuk njohin pengesë në përhapjen në botë të ideve dhe rrymave, nuk do të vononim të kuptonim se gjer në ç’shkallë janë ngatërruar me njëra-tjetrën e vërteta dhe e shtrembra dhe se si e shtrembra ka marrë pamjen e së vërtetës. Përballë gjithë kësaj rrëmuje idesh e bindjesh, sa kuptimplotë është fakti që një mysliman të kërkojë 40 herë në ditë në audiencën hyjnore rrugën e drejtë ose të lutet që të vazhdojë të ecë në rrugën e udhëzimit.

Siç nuk ka asnjë rrugë tjetër për të shkuar te Zoti përveç qëndrimit besnikërisht në rrugën e Tij, nuk ka asnjë pozitë të lartë sesa ruajtja e kësaj rruge në çdo çështje, por dhe asnjë urdhër më të vështirë sesa zbatimi i saj siç duhet. Allahu i përgëzon kështu njerëzit e kësaj rruge: “Ata që thanë: ‘Zoti ynë është Allahu dhe qëndruan besnikërisht, për ta nuk ka frikë dhe ata nuk do të pikëllohen. Ata janë banues të xhenetit, aty do të jenë përgjithmonë. Atë e kanë shpërblim për veprat që kanë bërë.” (Ahkaf, 13-14)

Detyra e falënderimit që duhet të kryejë robi që është mirënjohës ndaj Zotit, gjithsesi nuk duhet të mbetet vetëm me fjalë. Falënderimi i një njeriu që ia ka arritur rrugës së drejtë duke iu kushtëzuar rregullit ‘falënderimi i çdo të mire bëhet me anë të llojit të saj’, do të realizohet përmes rrugës së përpjekjeve të tij për t’i futur edhe të tjerët në rrugë të drejtë. Të qenët fetar, nuk është identiteti vetëm i këndimit të lutjeve të njohura ose i kryerjes së ritualeve të adhurimit. Njeriu fetar ka nevojë për një atmosferë fetare e për një mjedis islam. E pranoni dhe ju se krijimi i një atmosfere dhe zhvillimi i një mjedisi të tillë nuk është i mundur vetëm me zellin dhe përpjekjet e shërbyesit të fesë. Në këtë kuptim, të gjithë myslimanët janë orientues. Dhe një veprimtari orientuese e tillë nuk bëhet vetëm me fjalë, madje, disa herë më parë se me fjalë, mund të çohet përpara me akte dhe veprime. Njeriu i kauzës së lartë, një ideologji që e ka përqafuar dhe e jeton vetë, kërkon t’ua përjetojë edhe të tjerëve. Nëse nuk i shohim shenjat e kësaj kërkese dhe dëshire, mbetemi të detyruar të mendohemi mbi fisnikërinë dhe sinqeritetin e tij apo mbi drejtësinë e ideologjisë së tij.

(Revista Drita Islame, Shtator 2012)

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *