Besimtarët myslimanë në të gjithë Shqipërinë festojnë Kurban Bajramin

Qindra mijëra besimtarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë kanë falur dhe festuar Kurban Bajramin, festën e sakrificës dhe devotshmërisë ndaj Krijuesit, festën e paqes, dashurisë dhe barazisë mes njerëzve.

Që në orët e para të mëngjesit, mijëra besimtarë janë grumbulluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, për të ndjekur ceremoninë e kësaj dite të shënuar dhe për të marrë pjesë në faljen e namazit të bajramit.

Pas faljes së namazit të sabahut besimtarët dhe besimtaret e pranishme në shesh, kanë pritur nën tingujt e vargjeve kuranore, tekbireve dhe salavateve, faljen e namazit të Kurban Bajramit.

Ceremonia filloi me një pjesë kuranore të kënduar nga nxënësi i Medresesë së Tiranës, hafizi 16 vjeçar Enes Hyka. Më pas Kryetari i KMSH Haxhi Selim Muça uroi të gjithë besimtarët shqiptar kudo që ndodhen, për këtë ditë të shënuar, të sakrificës dhe shtimit të adhurimit e përkushtimit ndaj Zotit.

“Kjo është dita e sakrificës, bujarisë, paqes e solidaritetit, ku njerëzit ndajnë atë çka kanë me të tjerët. Kjo është ajo çka na mëson, këshillon dhe urdhëron feja islame. Kurban Bajrami është festa më e dobishme dhe më e bekuar për myslimanët. Kremtimi i kësaj feste i jep atyre një emocion të veçantë, një frymë të re, një zell të ri në punët e tyre fetare dhe të kësaj bote, duke ndihmuar njeri-tjetrin. Uroj besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët, ta jetojnë gëzuar këtë festë. Paçin mirësi e begati, Zoti e bekoftë Shqipërinë”, u shpreh Kreu i KMSH-së H. Selim Muça.

Një përshëndetje të rastit ka mbajtur edhe nënkryetari i Komunitetit Mysliman, H. Bujar Spahiu, i cili uroi shqiptarët për këtë ditë madhështore, duke ndjekur rrugën e atyre që na lanë trashëgim fenë, rrugën e profetëve.

Ai gjithashtu bëri një shpjegim të shkurtët të kuptimit dhe vlerave të Kurban Bajramit.

“Kurbani është shprehje e heroizmit, sakrifi cës dhe bindjes së njeriut në rrugën për fitimin e kënaqësisë së Zotit. Kjo bindje dhe sakrifi cë është simbolizuar me profetin Ibrahim dhe djalin e tij Ismail duke arritur majat. Kurbani rrit shpirtin bindës ndaj Allahut dhe kryen rolin e afrimit të njeriut me Krijuesin. Në këtë mënyrë njeriu shfaq adhurimin e tij të vërtetë dhe mundohet të kryejë detyrën e falënderimit.

Ai mbjell në shoqëri shpirtin vëllazëror, bashkëpunimin, ndihmesën dhe shpirtin e sakrificës, ndihmon në zhvillimin e barazisë në shoqëri dhe ndikon në kalimin e hendekut midis shtresave të ndryshme shoqërore, duke i nxitur ata drejt bashkëpunimit. Në shoqëri, krahas të pasurve dhe atyre me gjendje mesatare, ka edhe njerëz apo familje me të ardhura të pakta ose të varfër, që nuk munden të marrin mish për periudha të gjata. Shumica e këtyre, duke qenë me sedër, nuk e bëjnë veten të kërkojnë. Ja pra, bajrami i kurbanit është një gosti e Allahut për të gjithë këta. Therja e kurbanit dhe ndihma për nevojtarët duke i gëzuar ata, i shërben zgjerimit të drejtësisë shoqërore dhe fuqizimit të dashurisë midis njerëzve. Gjithashtu nga ana tjetër kurbani e mëson njeriun e pasur të japë nga pasuria e tij për të fituar kënaqësinë e Zotit. E nxit atë të ndihmojë të tjerët dhe të ndjejë thellë në ndërgjegje kënaqësinë që të jep kjo ndihmë që u ofrohet të tjerëve. Kështu e shpëton atë nga sëmundja e koprracisë dhe pasioni i tepërt për pasurinë e kësaj bote”, tha nënkryetari Spahiu.

Pas faljes së namazit të bajramit, e cila u drejtua nga kryetari H. Selim Muça, besimtarët kanë dëgjuar hytben e bajramit të mbajtur nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, i cili gjithashtu ka uruar besimtarët për këtë festë të madhe duke falënderuar Zotin për mirësitë që i ka falur shqiptarëve.

Z. Gurra falënderoi Zotin, që bëri të mundur këtë atmosferë të lartë shpirtërore, në përkujtimin e kësaj dite të gëzueshme për të gjithë myslimanët e botës. Ai u ndal më tej në rëndësinë e kësaj feste në të cilën manifestohet dashuria dhe bindja, sakrifica dhe devotshmëria ndaj Zotit.

“Ditët e bajramit janë kohët e shpresëdhënëse që përcjellin për në përjetësi përkushtimin tonë ndaj besimit, ndaj adhurimit të Mëshirëplotit, janë ditë ngazëlluese që skaliten në faqen e historisë së shoqërisë njerëzore dhe më plot vetëdije në bindjen tonë nga Krijuesit”, tha mes të tjerash myftiu Gurra.

Pas ceremonisë së faljes së bajramit besimtarët kanë uruar njëri–tjetrin për këtë ditë shpërblimi, dhe më pas janë shpërndarë nëpër familjet e tyre apo dhe nëpër parqe për të festuar dhe drekuar.

25/10/2012

/Drita Islame/