Burimi i një jete të ndryshuar

Musai punonte prej vitesh në Gjermani. Ishte me letra të rregullta, por akoma nuk kishte gjetur një punë të përhershme.

Prej më se një jave punonte te Hansi, një burrë 50-vjeçar, profesor i kimisë në një gjimnaz diku afër. Hansi ishte i dhënë pas lulesh, por koha e tij e kufizuar nuk e lejonte t’i bënte shërbimet gjithë atij kopshti të madh. Prandaj kishte marrë Musain për t’i ndihmuar.

Që ditët e para i kishte pëlqyer ky shqiptar fjalëpak, i urtë e punëtor. Dukej se kishte njohuri të thella jo vetëm për lulet, por edhe në pemëtari. Hansi afrohet ndërsa Musai krasiste ca pemë të vogla duke u dhënë një formë kupore të përkryer.

-Ulu të pimë një kafe, – i thotë gjermani dhe shqiptari uli gërshërët e më pas u ul dhe vetë në një ndenjëse aty pranë.

-Si të quajnë? – pyeti Hansi dhe Musai i tregoi emrin.

-Musa?! Musa?! Ku e kam dëgjuar këtë emër? Hansi vuri gishtat në tëmtha, sikur të gërmonte te truri për të freskuar kujtesën, – E kam lexuar, a dëgjuar diku, – këmbëngulte gjermani.

-Është një nga profetët e mëdhenj, – foli Musai, si për t’i ardhur në ndihmë tjetrit.

-A ke shumë njohuri për fenë tënde Musa?

-Jo shumë, me thënë të drejtën. Madje dhe ritet nuk i kryejmë ashtu siç duhet.

-Po ku i lexoni, ku i mësoni? A keni libra?

-Po, foli Musai, libra kemi shumë. Por do të veçoja një libër të mrekullueshëm që fatkeqësisht pak e lexojmë, pak e vlerësojmë dhe nuk e zbatojmë si duhet. Quhet Kur’an.

-Kush e ka shkuar atë libër?- u bë kurioz gjermani. Ndërkohë njëra nga vajzat e tij u solli ujë dhe kafe.

Musai piu gjysmën e gotës, pastaj një gllënjkë kafe dhe u përgjigj:

-Asnjeri nuk e ka shkruar, profesor, asnjeri. Është libër i ardhur direkt nga Allahu.

-Mendon se është e mundur kjo?- foli tjetri mosbesues.

-Po, është e mundur dhe është e vërtetë. Unë të thashë se nuk jam dijetar në fenë time, por aty ka vërtet gjëra të mrekullueshme, që njerëzit i kanë mësuar shumë më vonë pas daljes së librit.

-Po më habit Musa, – tha profesori dhe rregulloi syzet që i kishin rrëshqitur mbi hundë. –Sinqerisht po më habit. Mendon se mund ta gjej diku atë libër?

-Në Shqipëri ne e kemi në origjinal në arabisht dhe të përkthyer (komenti i ajeteve) në shqip. Këtu te ju nuk e di. Ndoshta mund ta kërkosh në ndonjë xhami në qytet.

Hansi e falënderoi e më pas biseduan për lulet, për familjet e më vonë dhe për pak politikë.

Pesë ditë kaluan e profesori nuk qe dukur më. Musai mendoi mos ka shkuar gjëkundi me shërbim. Të pyeste vajzat e tij kur i binin bukën apo kafenë i dukej mungesë edukate. Kur ja, më së fundi profesori erdhi. I gjatë, me pak mjekër dhe syzet që shpesh i rrëzoheshin mbi hundë.

-Selamun alejkum, vëlla Musa!- përshëndeti Hansi.

Musai u trondit. Një kovë e vogël uji i ra nga dora e rreth këpucëve u bë një pellg i vogël. Çdo gjë mund të priste prej Hansit, por të përshëndeste në këtë mënyrë, jo.

-Alejkum selam ve rahmetullah, vëlla Hans!

-Mos më quaj më Hans. Hëpërhë më thirr profesor, derisa të gjej një emër të bukur mysliman.

-Pash Zotin, tregomë çka ndodhur? foli Musai. –Tallesh apo e ke seriozisht?

-Si mendon Musa, shaka është kjo? Shihi sytë e mi si janë ënjtur këto ditë. Shumë i kam lodhur. Hoqi syzet dhe afroi dhe pak fytyrën. Por dhe pa këtë afrim nuk ishte e vështirë të dallohej ajo që thoshte profesori.

-E gjeta librin. E gjeta dhe u befasova me të. Ishte vërtet i mrekullueshëm. Të falënderoj sinqerisht. Më duket sikur kam dalë nga një tunel i nëndheshëm në dritë. Shumë pikëpyetje dhe enigma janë tretur e nuk figurojnë më. Kam gjetur kodin e kasafortës e tashmë ajo është e hapur. Profesori fliste e fliste pa u ndalur

-Që sot do të kthehem në fenë Islame. me siguri dhe vajzat do të më ndjekin pas, dhe gruaja gjithashtu. Do të jem predikues i Kur’anit në lagje e më gjerë.

Musai e dëgjonte profesorin e sakaq iu duk vetja i vogël. Një i krishterë po i fliste për predikimin e Kur’anit, e ai mysliman i lindur shumë pak e kishte bërë këtë punë. Me të vërtetë shumë pak. Aty, me këpucët e lagura nga kova e ujit, i ngriti duart lart drejt qiellit, i kërkoi falje Allahut e i dha një premtim të madh.

Nga: Osman Xhili

/Drita Islame/