Drejtimi I Përjetshëm Në Kuran

Edhe një fakt i thjeshtë do të mjaftojë për të nxjerrë në pah që Kurani nga ana e shprehjes dhe e gjuhës nuk ngjan me asnjë libër tjetër. Kurani është i pashoq dhe i pashembullt si nga ana e shprehjes, po ashtu edhe nga përmbajtja, kuptimi si dhe nga mënyra e veçantë e përdorur.

Në kohën e shpalljes së Kuranit, shkrimtari i madh Lebid Kur, duke u mahnitur nga mënyra shprehëse dhe forca komunikuese, ishte bërë mysliman. Para se të besonte, Lebidi kishte shkruar poezi që i magjepsnin lexuesit. Pasi filloi të besonte, nuk shkroi as edhe dy rreshta. Kur Omeri i kërkoi t’i shkruante një poezi, i shkroi suren Bekare dhe ia dërgoi. Poshtë saj shkruante: “O Halifi i Profetit të Zotit! Mos ma vër re, që kur filloi të shpallej Kurani, nuk shkruaj më poezi”.

 

Velid b. Mugire, një nga poetët më të mëdhenj të periudhës së injorancës, megjithëse pati pranuar se: “Betohem në Zot, që në Kuran ka një ëmbëlsi, një bukuri dhe veçanti. Pa dyshim, Kurani është mbi të gjitha fjalët dhe nuk ka fjalë që të dalë mbi të.”, pas njëfarë kohe, duke mos hequr dorë nga inati dhe smira, tha: “Ai s’është gjë tjetër veçse një magji ndikuese”, duke mos u afruar në pranimin e Kuranit, dhe insistuar në mosbesim me një këmbëngulje djallëzore.

 

Gjatë kohës së zbritjes së Kuranit, edhe të parët e Mekës që kishin marrë përsipër barrën e rëndë për t’iu kundërvënë thirrjes hyjnore, nuk arritën t’u bëhen pengesë dëshirave për të dëgjuar Kuranin. Disa nga idhujtarët duke u ndrojtur nga njëri-tjetri, fshiheshin përreth shtëpisë së të Dërguarit të Allahut (s.a.s) për të dëgjuar Kuran. Në krye të këtyre personave të mbifolur nga historia, vinin të parët e Kurejshëve, me në krye Ebu Sufjan b. Harb’in, Ebu Xhehl b. Hisham’in, Ahnes bin Sherik’un, etj.

 

Përkundrejt metodikës së jashtëzakonshme të Kuranit, çdo njeri që e dëgjon mahnitet dhe arrin në përfundimin se kjo vepër nuk mund të jetë vepër e njeriut. Dhe një përgjigje kundrejt atyre që pretendojnë të kundërtën nga Kurani: “E në qoftë se jeni në dyshim në atë çka Ne ia shpallëm robit tonë, atëherë sillni ju një sure të ngjashme si ai (Kurani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (Zotat) pos Allahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kurani nuk është prej Zotit). E në mos e paçit bërë (deri tani), e as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmen), atëherë ruajuni zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit edhe gurët, që është përgatitur për mosbesimtarët .”(Bekare, 23-24). Përballë kësaj, idhujtarët e asaj kohe dhe kundërshtarët për 14 shekuj me radhë nuk ia arritën të krijonin madje as edhe një të ngjashme me një nga 114 suret e Kuranit.

 

Sikurse e pamë edhe më lart, përballë natyrës shprehëse dhe forcës komunikuese të Kuranit, qofshin besimtarë apo jobesimtarë, të gjithë mahniten. Por ajo që i habiti më shumë idhujtarët, qe fakti që një njeri i zakonshëm të cilin e njihnin fare mirë, që s’ishte dalluar për poezi apo krijimtari tjetër letrare, i cili gjer në moshën 40 vjeçare nuk dinte as shkrim as këndim, të parashtronte ajetet Kuranore që zotëronin një shkëlqim të përjetshëm mbinjerëzor. Shkaku kryesor magjepsës për ta ishte ky: Profeti Muhamed (s.a.s), për drejtësinë e të cilit nuk kishte askush edhe dyshimin më të vogël, si mundet vallë të shkruajë një kryevepër si Kurani? Mendërisht dhe logjikisht, duke qenë e pamundur, Kuranin nuk e shkroi Profeti Muhamed, por atij i është transmetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Zoti.

 

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *