Hapet medreseja e vajzave “H. Ali Korça” në Kavajë

Në Kavajë është hapur paraditen e sotme medreseja “H. Ali Korça” për vajza.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm kryetari i KMSH-së, H. Selim Muça, drejtori i arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, z. Fatmir Vejsiu, nënprefekti i Kavajës, z. Galip Ramadhi, përfaqësues të pushtetit vendor, drejtori i Drejtorisë Arsimore të rrethit, drejtues e mësues të institucioneve arsimore publike e private, prindër e nxënës, etj.

Kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Selim Muça, pasi falënderoi fondacionin “SEMA” për kontributin e dhënë në fushën e arsimit, foli për rëndësinë e hapjes së kësaj shkolle dhe ndikimin e saj në zhvillimin e komunitetit të Kavajës dhe përtej saj.

“Kjo ditë është e veçantë, sepse sot hapim këtë shkollë që është e para në Kavajë e këtij lloji për vajza. Simbolika e hapjes së kësaj shkolle është se arsimi përbën sferën kryesore që ndikon në zhvillimin e një shoqërie e sidomos të rinjve”, tha kreu i KMSH-së.

Z. Fatmir Vejsiu në fjalën e tij e vuri theksin mbi suksesin që kanë arritur medresetë në të gjithë vendin duke qenë në avangardën e arsimit parauniversitar për sa i përket cilësisë së mësimdhënies.

Ndërsa drejtori i shkollës, z. Mustafa Hatipoglu, theksoi rëndësinë që ka edukimi i vajzave, duke deklaruar se në këtë shkollë do të edukohen dhe arsimohen nënat e gjeneratave që do të vijnë.

Kjo shkollë e ndërtuar në një sipërfaqe prej 15 mijë metra katrorë dhe me bazë didaktike bashkëkohore, që i plotëson nevojat e zbatimit të programeve me laboratorë përkatëse si biologji-kimi, fizikë, gjuhë të huaja, informatikë është realizuar falë bashkëpunimit të frytshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipëri dhe fondacionit arsimor e kulturor “SEMA”.

Për këtë vit arsimor Medreseja e Vajzave në Kavajë ka hapur dyert për 60 nxënëse nga Kavaja dhe rrethet, të cilat janë shpallur fituese në konkursin e pranimit.

/Drita Islame/Fondacioni Sema