“International Day”, larmi kulturash në ambientet e Universitetit Bedër

beder

International Club”, në bashkëpunim me klubet e tjera studentore pranë Universitetit Hëna e Plotë- Bedër, organizuan më 22 maj në sallën e ekspozitave, aktivitetin “International Day 2013”.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte njohja e kulturave që vijnë nga vende të ndryshme të rajonit dhe botës. Studentët më kombësi të huaj që studiojnë në Universitetin Hëna e Plotë – Bedër, prezantuan kulturën dhe historinë e vendeve të tyre. Aktiviteti ishte i organizuar në stenda ekspozuese të shumta ku secila prej tyre përmbante ushqimet më të spikatura, suvenire, kostume tradicionale, simbole kombëtare, dhe elementë të tjerë të kulturës dhe traditës së vendeve që u prezantuan në aktivitet.

Në fjalën e tij rektori i këtij universiteti Dr. Ferdinand Gjana, e vlerësoi këtë aktivitet si më të arririn dhe më të rëndësishmin deri më tani për vetë faktin se i bën studentët të thellohen më tej në shumëllojshmërinë e kulturave në universitet.

Në kuadër të kësaj dite, e pranishme në aktivitet ishte edhe përfaqësuesja e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Znj. Diane Nickeson. Ajo zhvilloi një bashkëbisedim me studentët, duke u përqendruar në temën e “diversitetit kulturor në SHBA”. Bashkëbisedimi u zhvillua pyetje-përgjigje me studentët të cilët treguan interes. Aktiviteti u mbështet nga disa përfaqësi diplomatike në Tiranë, siç ishte Ambasada e SHBA-së, Egjiptit, Kosovës, Malit të Zi, Gjermanisë, Turqisë etj.