KLAN TV prezantohet para studentëve të komunikimit

Zv.Kryeredaktori i lajmeve në Klan TV, z.Arben Vata ishte i ftuari i radhës i Departamentit të Shkencave të Komunikimit në kuadër të ciklit “Studenti dhe Profesioni”. Me një eksperienca shumë vjeçare në tregun e medias, z.Vata i njohu studentët e Komunikimit me anën praktike të profesionit të gazetarit, marrëdhëniet me lajmin, gjetjen dhe raportimin e tij.

 Studentët nga ana e tyre u interesuan në lidhje me përditshmërinë e një gazetari të redaksive të lajmeve, trajtimin e informacionite dhe temave të caktuara, raportet e medias me politikën, mundësitë e punësimit në këtë treg etj. Interesit të studentëve z. Vata iu përgjigj se kanalet televizive shqiptare kanë shënuar një hov të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të teknologjisë, ndërsa Klan TV sipas tij ka investuar së tepërmi në teknologji dhe infrastrukturën e brendshme, si edhe në rritjen e numrit të programeve.

 Cikli “Studenti dhe Profesioni” zhvillohet çdo javë nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit me të ftuar të ndryshëm, drejtues të redaksive të lajmeve dhe gazetave me qëllim njohjen e studentëve me terrenin e medias si edhe aftësimin e tyre në këtë drejtim.

Shtuar më 18/10/2012