Kopraci

Nga: Xhynejd Suavi

Fëmija i vogël tek po mundohej të qetësohej duke e lëshuar krejt trupin mbi paterica, vështroi vitrinën e një lokali luksoz buzë detit. Në anën e majtë të xhamit, i cili herë pas here mbulohej me avull nga nxehtësia e gjellëve, dukeshin një sërë gjellësh, që nga vezët me mish të grirë deri te qebapët me patëllxhan; ndërsa në anën e djathtë,në një zonë të veçantë, po skuqeshin pulat e përshkuara në hell. Ngaqë ai vetë banonte në një nga sokakët e aty afër, kishte kaluar shpesh përpara këtij lokali, por nuk kishte parë asnjëherë me kujdes atë vitrinë. Porse uria që e kishte pushtuar që prej dy ditësh, e kishte vënë në një situatë të tillë saqë nuk mendonte gjë tjetër, veçse si të ngopte barkun.

Vogëlushi po kënaqej prej e aromës së mrekullueshme që dilte përjashta, kur në çast u tremb nga një zë që ushtoi në xhamin e vitrinës. Një burri tepër të shëndoshë e të veshur mirë, i kishin rënë në tokë paratë, të cilat i kishte marrë era e i kishte fluturuar drejt djaloshit. Burri, nuk vraponte dot nga trupi i shëndoshë që nuk e linte as të shikonte përpara, bërtiste më zë të mbytur. Vogëlushi, pasi e përcaktoi mirë drejtimin nga po shkonin paratë, e ngriti njërën nga patericat, të cilat kishte pesë vjet që i përdorte me mjeshtëri dhe shtypi me të paratë që po kalonin pranë murit. Ishte një banknotë që flakërinte. Me ta marrë me vështirësi nga toka, burri i shëndoshë erdhi pranë tij dhe me një zë të trashë i tha:

-Ajo është paraja ime! Ma jep!

Vogëlushi priti të paktën një falënderim, por megjithatë nuk nxori zë dhe tek po i zgjaste paratë, foli me një zë, i cili buronte nga uria që po ndjente:

-Në këtë para kam edhe unë pjesën time. -tha djaloshi. Nëse nuk do ta kapja unë, do të fluturonte në det.

Për burrin e shëndoshë nuk ishte shumë e vështirë t’i jepte një pëllëmbë atij, por shumë kureshtarë po shikonin drejt tyre. I detyruar të mos ia varte shumë, i tha :

-Mirë, ashtu qoftë. Sa do?

Djaloshi tregoi me gisht nga vitrina dhe tha:

-Aq sa duhen për të blerë dy pula, një për mua dhe një për komshinjtë që kujdesen për mua.

Burri mendonte t’i jepte vetëm paratë e një simiti, prandaj dhe iu ngritën nervat.

-Ti me siguri nuk i di çmimet e pulave. -bërtiti fort ai. -Po nëse do vetëm një, do të ta blej.

Djaloshi dashje pa dashje uli kokën dhe nisi të priste fatin e vet, ndërkohë që burri i shëndoshë u qetësua. Pasi e mori me forcë nga dora e vogëlushit bankënotën, e futi atë menjëherë në xhep, eci me hapa të shpejtë drejt lokalit dhe iu drejtua njërit nga kamerierëve që erdhi pranë tij me shumë respekt:

-Paketo njërën nga pulat që kanë ngelur që dje dhe jepja atij djaloshit jashtë. Por mos i thoni që unë jam pronari i këtij lokali…