Kur vjen Ramazani…

Kur vjen Ramazani, le t’i lutemi Zotit për paqe e mëshirë në botë!

ramazan1

Kur vjen Ramazani, i Madhi Zot na kujton në Kuran:

“Besimtarë! Është caktuar për ju agjërimi, sikurse iu caktua atyre para jush, që të mund të përmbaheni. / Janë ditë të numëruara; kush nga ju është i sëmurë ose në udhëtim, disa ditë të tjera. Për ata që s’mund ta mbajnë, si zëvendësim, ushqimi i një të varfri. Kush bën vullnetarisht një të mirë, gjen mirë. Të agjëroni është më mirë për ju sikur ta dinit. / Ramazan është muaji kur u zbrit Kurani, drejtim për njerëzit, platformë e drejtimit dhe Dalluesi. Kush e dëshmon muajin, të agjërojë; cili është i sëmurë ose në udhëtim, disa ditë të tjera. Zoti do për ju lehtësim, nuk do për ju vështirësim dhe që ta plotësoni afatin e të madhëroni Zotin sepse Ai ju drejtoi dhe të mund të falënderoni.” (2:183-185)

“Të përmbaheni”, arabisht: it-teká / veká, do të thotë: “të ruheni nga e keqja, të keni frikë Zotin, të jeni të devotshëm.” Ky është edhe qëllimi i të përmbajturit të vetvetes gjatë agjërimit në ramazan.

Kur vjen Ramazani, i Dërguari i Zotit, Muhamedi (Paqja qoftë me të!), thotë:

Idhá xháe ramadánu, futihat ebvábul’ xhenne(ti)” (Me të ardhur Ramazani, hapen portat e Parajsës.) Ose, më së ploti: “Kur hyn muaji i Ramazanit, hapen portat e qiellit, mbyllen portat e ferrit dhe djajtë janë nën pranga.” (Sipas Ebu Hurejres r.a. / Sahih Al Bukhari 31:922-923)

Fjalët e Profetit a.s. janë të frymëzuara nga Zoti dhe, këtu, ato janë premtim e sihariq për agjëruesit, sikurse janë zhgënjim për djajtë, ndër xhinët e njerëzit, sepse besimtarët në Ramazan janë më të vendosur e të bashkuar se kurrë dhe ata s’mund t’i mashtrojnë. Në Ramazan, portat e ferrit (xhehennemit) mbyllen, pasi Ramazani është muaj i bekuar, muaj mirësie e faljeje. Prandaj, Muhammedi a.s. i porosit besimtarët me dy thënie mjaft të njohura prej tij: “Kush falet në Ramazan me besim e vetëdije, i falen mëkatet e kaluara.”Gjithashtu: “Kush agjëron në Ramazan me besim e vetëdije, i falen mëkatet e kaluara.” (Sipas Ebu Hurejres r.a. / Sahih Al Bukhari 2:35,36) Garanci për këtë është vetë i Madhi Zot kur thotë në Kuran: ” Thuaj (o i Dërguar): “Robtë e Mi (të Zotit), shpërdorues të vetvetes! Mos i prisni shpresat nga mëshira e Zotit! Zoti i fal mëkatet, të gjitha. Ai është Falësi, Mëshirëploti.” (Kurani 39:53)

Kur vjen Ramazani, në një hadith të shenjtë (hadithi kudsi) Profeti ynë na mëson se Zoti i Madhëruar ka thënë: “Çdo bëmë e bijve të Ademit është për ta, përveç agjërimit që është për Mua dhe që Unë e shpërblej atë.” Në vazhdim, Profeti a.s. ka thënë: “Për agjëruesin ka dy kënaqësi: njëra kur çel dhe tjetra, kur do ta takojë Zotin e Vet.” (Sipas Ebu Hurejres r.a. / Sahih Al Bukhari 31:926)

Dhe, me të vërtetë, për agjëruesin, gjatë kohës që agjëron e falet, Zoti është i pranishëm me të. Prandaj, i Madhi Zot, fill pas ajeteve për agjërimin, në suren Bekare (Kreu 2. Lopa), ajetet 183-185, ka sjellë ajetin 186 me fjalët:

Në të pyesin robtë e Mi për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem thirrjes së thirrësit kur Më thërret. Le të Më përgjigjen e të Më besojnë që të mund të udhëhiqen drejt.”

Kur vjen Ramazani, agjëruesi frenohet jo vetëm nga ushqimi, por edhe nga fjalët, sjelljet dhe praktikat e papëlqyera. Për këtë, Profeti a.s. ka thënë: “Nëse dikush nuk përmbahet nga fjalët dhe punët e kota, Zoti s’ka nevojë që ai të përmbahet nga të ngrënit dhe të pirët.” (Sipas Ebu Hurejres r.a. / Sahih Al Bukhari 31:925)

Kur vjen Ramazani, e ardhmja e besimtarëve, rruga që ata kanë marrë, është Parajsa. Prandaj, i Madhi Zot, në kreun 9 (Et-Teube) që është kapitulli historik i ndarjes së plotë nga marrëveshjet me idhujtarët, thekson:

Zoti ka blerë nga besimtarët veten e tyre dhe pasuritë e tyre me parajsë. Luftojnë në Rrugën e Zotit, vrasin e vriten. Premtim i vërtetë i Tij në Teurat, Ungjill e Kuran. Kush e përmbush besën veç Zotit? Përgëzohuni me shitblerjen që keni bërë! Ky është suksesi i madh. /

Përgëzoji besimtarët: të penduarit, adhuruesit, falënderuesit, agjëruesit, ata që përkulen dhe bien me krye në tokë, që porositin të mirën dhe ndalojnë të keqen, që ruajnë kufijtë e Zotit.” (Kurani 9:111,112)

Pjesëtarë në shpërblimin e Zotit nuk janë thjesht ata që e quajnë veten muslimanë, porse ata dhe ato, meshkuj e femra, që plotësojnë tiparet e besimit islam:

“Muslimanëve e muslimaneve, besimtarëve e besimtareve, të bindurve e të bindurave, të sinqertëve e të sinqertave, durimtarëve e durimtareve, të përulurve e të përulurave, bamirësve e bamirëseve, agjëruesve dhe agjërueseve, të ndershmëve e të ndershmeve, përmendësve shumë të Zotit dhe përmendëseve, Zoti u ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (Kurani 33:35)

Kur vjen Ramazani, besimtarët nuk i shpallin xhihad (luftë të shenjtë) njëri-tjetrit, siç bëjnë për të keqen e vet dhe për të mirën e armikut të përbashkët sot, porse qëndrojnë të bashkuar, sepse i Madhi Zot u thotë në Kuran:

“Mbahuni së bashku në tërkuzën e Zotit dhe mos u përçani! Kujtoni të mirën e Zotit tek ishit armiq, jua bashkoi zemrat e u bëtë, me Mirësinë e Tij, vëllezër. Ishit buzë një gremine të zjarrtë dhe ju shpëtoi. Kështu jua sqaron Zoti dëshmitë e Tij që të mund të udhëhiqeni drejt.” (Kurani 3:103)

Në rast konflikti, Zoti urdhëron pajtim e paqe:

“Kur dy grupe besimtarësh luftojnë mes tyre, pajtojini dhe, nëse njëri bën agresion, luftojeni agresorin derisa t’i nënshtrohet urdhrit të Zotit. Po të nënshtrohet, bëni paqe me drejtësi. Dhe jini të paanshëm sepse Zoti i do të paanshmit. / Besimtarët janë vëllezër, pra, bëni paqe mes vëllezërve tuaj dhe përmbajuni Zotit që të mund të mëshiroheni.” (Kurani 49:9,10)

Kur vjen Ramazani, le të kujtojmë një faqe të lavdishme nga triumfi i Profetit (Paqja qoftë me të!) në Mekë:

“Natën e njëzetë të Ramazanit, 8 hixhri, rreth dhjetë mijë besimtarë të armatosur zunë kodrat e Mekës në pritje të ditës së re. Kur pa zjarret e ndezura, Ebu Sufjani nxitoi te Abbasi, ungji i Muhammedit dhe që të dy dolën të gjenin Profetin e Shenjtë. Abbasi formalisht nuk qe bërë musliman, por edhe s’e pati braktisur të nipin. Kur e panë Muhammedin (a.s.), Profetin e Shenjtë, Abbasi i tha: “Ebu Sufjani kërkon prej teje një nder.” Muhammedi iu përgjigj: “Le të qëndrojë në shtëpi.” Pas tyre, dërgoi në qytet lajmëtarë që njerëzit të strehoheshin në shtëpinë e Ebu Sufjanit ose të mbylleshin në shtëpitë e tyre apo të mblidheshin të paarmatosur pranë Qabes për të qenë të siguruar. Repartet hynë në Mekë nga drejtime të ndryshme. Atje, Bilali, skllavi i dikurshëm, i munduar me torturat më të egra për besimin e tij te Zoti, hypi në muret e Qabes dhe ftoi besimtarët të faleshin. Kur mbaruan, Profeti hyri në Qabe dhe e pastroi atë nga idhujt e vizatimet. Tek i prekte me tehun e shpatës, recitonte fjalët e Kuranit: “Erdhi e vërteta dhe u zhduk e pavërteta. E pavërteta është në zhdukje.” (Kurani 17:81) Ndërkohë e tërë Meka qe mbledhur pranë Qabes. Pas vitesh armiqësie e gjakderdhjeje, mekasit e pyetën Muhammedin se çdo të bëhej me ta. Ai iu përgjigj me fjalët e Jusufit të vëllezërve: “Sot s’ka qortim për ju. Zoti ju faltë! Ai është Mëshiruesi i mëshiruesve.” (Kurani 12: 92) Pastaj u ul në Safa, pranë Qabes dhe aty mekasit i dhanë besën për Islam. (Marrë nga përmbledhja e ngjarjeve kryesore në periudhën e shpalljes së Kuranit: 610-632 e.r. / Kurani i Nderuar/ Shqipëroi: Myfti Salih Ferhat Hoxha / Tiranë 2013)

Kur vjen Ramazani, le t’i lutemi Zotit për paqe e mëshirë në botë!

/K. S. Hoxha – Drita Islame – Nju Jork, Korrik 2013/

 

Përshtatur sipas Shqipërimit të Kuranit të Shenjtë nga Salih F. Hoxha

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *