Kur’âni

the_quran_is_my_life_03_by_larage4peace

Kur’ân, është emri i mesazhit të fundit, më të përsosurit, që i është zbritur Profetit Muhammed (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem). Zbritja e tij ka filluar në Mekke dhe ka vazhduar edhe në Medine pas hixhretit të Profetit (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem). Kjo shpallje është plotësuar në 23 vjet. Uahji është zbritur pjesë pjesë, ndonjëherë si një lajmërim i përgjithshëm, urdhëresë apo ndalesë e drejtpërdrejtë e Allahut, e ndonjëherë si përgjigje rreth një pyetje, zgjidhje për një problem ose lajmërim në vijim të një ngjarjeje. Zbritjes së Kur’ânit pjesë pjesë në arabisht i thonë “tenxhim”. Kjo mënyrë është e përshtatshme edhe me ndodhitë në natyrë. Gjithashtu, një formë e tillë ishte e nevojshme edhe për ta mësuar atë përmendësh. Në një ajet kjo dukuri shprehet kështu: وَقَالَ الَّذِينَ كَفَرُوا لَوْلَا نُزِّلَ عَلَيْهِ الْقُرْآنُ جُمْلَةً وَاحِدَةً كَذَلِكَ لِنُثَبِّتَ بِهِ فُؤَادَكَ وَرَتَّلْنَاهُ تَرْتِيلًا “Mosbesimtarët thanë kështu: A nuk duhet t’i zbriste atij i gjithi njëherazi ky Kur’ân? Por Ne e zbritëm dhe e lexuam pjesë pjesë Kur’ânin në mënyrë që ta fiksojmë atë në zemrën tënde.” (Furkan 25/32)

Të ndryshosh botën mendore të njerëzve, t’i largosh ata nga disa zakone të dëmshme e ti mësosh atyre zakone të dobishme, është procedurë e cila zgjat një farë kohe të caktuar. Një nga arsyet që Kur’âni u zbrit pjesë pjesë është pikërisht ky.

Gjithashtu Kur’âni është një libër i cili përmban njohuri rreth çdo fushe të jetës. Për këtë arsye ai është manuali më i rëndësishëm i jetesës së njeriut. Kur’âni i mëson njeriut të vërtetën e ekzistencës dhe kuptimin e saj, i mëson sjelljet e mira e si të bëhet njeri i mbarë.

Uahji i Kur’ânit ndonjeherë zbriste vetëm si një ajet, ndonjëherë si një grup ajetesh e ndonjëherë si një sure e tëra. Profeti (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) ia diktonte pjesën e sapozbritur disa prej njerëzve që dinin shkrim-lexim e ata e shkruann mbi materiale të ndryshme. Xhebraili (a.s), i tregonte Profetit (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) se pjesë e cilës sure ishin ajetet e rinj, ku do të vendoseshin brenda sures dhe cila ishte rradha e sureve. Në periudhën e Ebu Bekrit (r.a), të gjitha këto pjesë u bashkuan e u shkruan duke përdorur vetëm një material dhe kështu Kur’âni u vendos midis dy kapakëve. Kurse në periudhën e Hz. Osman (r.a), kopjet e Kur’ânit u shtuan akoma më tepër duke u shkruar nga ai i pari që kishte mbledhur Hz. Ebu Bekr (r.a) dhe u dërguan në qendra të ndryshme të Islamit. Pra, Kur’âni është i vetmi libër hyjnor i cili ka arritur deri në ditët e sotme pa u prekuar nga dora e njeriut e pa u ndërhyrë në të. Dhe ky fakt, është një nga provat kryesore që tregojnë që Kur’âni është i mbrojtur nga Allahu. Për sa i përket librave të tjerë, për shkak se janë zbritur vetëm për popullin ku kanë jetuar profetët (a.s.s), për ta nuk është vendosur ndonjë mbrojtje hyjnore e veçantë. Për Kur’ânin Famëlartë Allahu (xh. xh) thotë: إِنَّا نَحْنُ نَزَّلْنَا الذِّكْرَ وَإِنَّا لَهُ لَحَافِظُونَ “Ne e zbritëm Kur’ânin dhe Ne do ta mbrojmë atë.” (Hixhr 15/9)

Kur’âni është muhejmin[1] mbi librat që janë zbritur përpara tij. Kjo do të thotë që ai është një mbrojtës, saktësues i gabimeve, e ndonjëherë pohues i atyre të saktave, kontrollues i librave të mëparshëm.

“Kur’âni është muxhizeja më e shndritshme e më e qëndrueshme që i është zbritur Krenarisë së njerëzimit (alejhi emelu’t-tehâjâ). Ai është një përmbledhje mrekullishë me mënyrën e të shprehurit e tij unik; një burim i kulluar që s’ka fund me përmbajtjen e disiplinave sociale, ligjeve jurisprudenciale, rregullave edukative, komentet në lidhje me njeriun, qeniet dhe natyrën, shprehjve të tij me aludime, shenja e ndonjëherë haptazi rreth themeleve të të gjitha shkencave; është një pasuri me mënyrat që ofron për zgidhjet e problemeve drejtuese, ekonomoke, politike, kulturore; është një një oqean gjigant i cili nuk është turbulluar as në periudhat më të ngatërruara.”

Tematikat themelore të Kur’ânit janë katër:

  1. Teuhidi: Tema mbi të cilën Kur’âni ka qëndruar më shumë është vërtetimi i ekzistecës dhe njësisë së Allahut.
  2. Profetësia: Vërtetimi dhe domosdoshëria e profetësisë.
  3. Hashri: Vërtetimi i ringjalljes dhe dhënies së llogarisë pas vdekjes.
  4. Adhurimi dhe drejtësia: Të jetosh duke zbatuar urdhërat e Allahut e të përfaqësosh përgjegjësitë e të qenit rob i Tij, pra me kuptimin më të gjerë drejtësia.

Nëse tregohemi të kujdesshëm në këto katër tema kryesore, do të kuptojmë se Kur’âni është me të vërtetë libri hyjnor i cili përmban orientimin që i ka dërguar Allahu njerëzimit, të cilin duhet ta marrim për bazë për gjatë gjithë udhës që zgjatet nga kjo botë e deri në në ahiret.



[1] Shikoni: Maide 5/48.

Fondacioni SEMA