Kurban Bajrami, Medreseja e Tiranës organizon program madhështor

tiran (16)

Qindra qytetarë të Tiranës morën pjesë mbrëmë në programin festiv të organizuar nga Medreseja e këtij qyteti me rastin e afrimit të festës së Kurban Bajramit.

Medreseja e Tiranës organizoi mbrëmjen e së premtes (11 tetor 2013), një program festiv artistiko-fetar, në vigjilje të Kurban Bajramit.

Siç është bërë traditë tashmë në programe të tilla fetare, hapja u bë përmes këndimit të himnit kombëtar dhe pjesëve kuranore.

Hafizi 17 vjeçar Enes Hyka, njëkohësisht nxënës në Medresenë e Tiranës, këndoi ajetet kuranore të sures “Keuther”, ku ndër të tjera thuhet “Falu dhe bëj Kurban për hir të Zotit tënd.”

Në fjalën e tij drejtori ri i Medresesë, z. Omer Çallësh, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe u shpreh se “Bajrami është një festë për të gjithë myslimanët, një gëzim i madh dhe nuk ka gjë të mirë dhe më të bukur për ne, se sa të gëzojmë e festojmë kështu bashkërisht, duke e ndarë gëzimin me njëri-tjetrin, pasi kur gëzimi, hareja e lumturia ndahet me të tjerët, nuk pakësohet, por shtohet edhe më shumë”.

Ndërsa Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça në fjalën e tij përshëndetëse, pasi falënderoi të pranishmit, u shpreh se, Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Allahut, Krijuesit të Gjithësisë.

Ai shtoi se, “të gjithë ne duhet të bëjmë përpjekjet tona, me aq sa kemi mundësi, për t’u ardhur në ndihmë atyre që kanë nevojë. Nuk duhet të presim vitin tjetër apo të ardhmen për të ndihmuar, tani është momenti, tani duhet të ndihmojmë ata që kanë nevojë dhe rast më të mirë se sa Kurban Bajrami për ta bërë këtë gjë nuk mund të ketë. Pasi vetë filozofia e Kurban Bajramit, është ndihmesa e nevojtarit. Nuk mund të ketë gëzim e festë për myslimanin nëse vëllai i tij nuk e ka atë”.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe prefekti i ri i Qarkut të Tiranës, Sadi Vorpsi, i cili pasi uroi myslimanët për këtë festë madhështore u shpreh: “Jam tepër i gëzuar dhe i emocionuar njëkohësisht. Kjo është dalja ime e parë publike si prefekt dhe më bëhet qejfi që ndodhi kështu, pasi unë rrjedh nga një familje e hershme tiranase me tradita fetare islame. Le të ndihmojmë njëri-tjetrin në këto ditë feste në mënyrë që të gëzojmë të gjithë së bashku”.

Një mesash urimi përcolli edhe kreu i Kryegjyshatës Botërore Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Ndërkohë programi ka vijuar me atmosferën festive përmes këndimit të ilahive, nga këngëtarët Rosela Gjylbegu, Lind Islami dhe nxënës të Medresesë. Gjithashtu gjatë këtij eventi pati edhe interpretime poetike nga aktori i mirënjohur Dritan Boriçi dhe pjesë të ndryshme teatrale nga medresistët, të cilat e bënë edhe më të qartë mesazhin e paqes, sakrificës dhe ndihmesës ndaj njerëzve në nevojë.

Të pranishëm në aktivitet ishin edhe Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, z. Fatmir Vjesiu, drejtori i Fondacionit Arsimor Sema, z. Asim Budak, personalitete të tjerë të jetës publike në kryeqytet, nxënës, prindër dhe qytetarë të shumtë të Tiranës.

Në një atmosferë të tillë festive, nën ngjyrat e fishekzjarrëve të shumtë, për pjesëmarrësit e shumtë u shtrua edhe një koktej.

Programi përcolli emocione të jashtëzakonshme tek publiku, që siç u shprehën dhe vetë ata “emocioni është i papërshkrueshëm”.

/Drita Islame/

 

tiran (1) tiran (2) tiran (3) tiran (4) tiran (5) tiran (6) tiran (7) tiran (8) tiran (9) tiran (10) tiran (11) tiran (12) tiran (13) tiran (14) tiran (15)  tiran (17)