Medreseja e Tiranës, një shekull për arsimin dhe diturinë

Intelektuali i njohur, z. Xhemal Balla ish-medresist dhe më pas mësues flet për kushtet në të cilat u hap Medreseja e Tiranës në vitin e largët 1924, pedagogët dhe medresistët e parë si dhe rolin dhe kontributin e dhënë prej tyre në shoqërinë e asaj kohe e më vonë. Në vlerësimin e tij Medreseja e Tiranës ka qenë dhe mbetet një ndër shkollat elitë jo vetëm të kryeqytetit, por të gjithë Shqipërisë, pasi në bankat e saj janë përgatitur qindra studiues, inxhinierë, mjekë, mësues, vaizë etj., që kanë punuar me ndërgjegje të lartë në sektorë të ndryshëm të jetës.

Z. Balla sjell në vëmendje momente nga rihapja e Medresesë në vitin 1991, ku edhe pse në kushte të vështira e mungesë të theksuar ambientesh e baze didaktike, Medreseja ruajti profilin e saj, duke ofruar për nxënësit e saj arsimin dhe edukimin e duhur të ndërthurur me frymën fetare e kombëtare, mision të cilin vazhdon ta kryejë me përkushtim edhe sot e kësaj dite.


Për medresetë, si institucione serioze të arsimit kombëtar fetar islam, mund të flasim vetëm në fillimet e shekullit XX, pas Shpalljes së Pavarësisë. Në ballë të tyre qëndron sigurisht Medreseja e Tiranës, që u hap më 1924 për të plotësuar nevojat për kuadro fetarë. Cilat ishin kushtet në të cilat u hap kjo shkollë?

Pas shpalljes së pavarësisë klerikët shqiptarë radhiten bashkë me personalitete politike e shoqërore në mbrojtje të saj. Vehbi Dibra ishte zgjedhur në krye të pleqësisë, i ngarkuar nga Kuvendi me detyrën e Myftiut të përgjithshëm të Shqipërisë. Ai filloi menjëherë me riorganizimin e institucioneve fetare në Shqipëri e deri në ngritjen e zyrave të Sheriatit Islam. Këto probleme ai i bën objekt diskutimesh në mbledhjen e qeverisë së Vlorës, datë 5 maj 1913 (Arkivi Qendror, fondi 71, dosje 2, dokumenti 8135). Ndërmjet të tjerash në të shkruhej: “Myftinjtë do të vihen në dispozicion të Hirësisë së tij, Shejhul Islam i Shqipërisë dhe funksioni i tyre do të dekretohet prej tij”. Administrata fetare u krijua mbi baza të administratës shtetërore si p.sh. prefekturës i përgjigjej Myftiu, N/Prefekturës – N/Myftiu e me radhë, të gjitha në varësi të qeverisë. Një eveniment me rëndësi në vitin 1916 ishte krijimi i gjyqit të Naltë të Sheriatit Islam me kryetar Kryemyftiun e Shqipërisë H. Vehbi Dibra. Filloi reforma fetare e shoqërore, që arriti kulmin me ndarjen nga kalifati i Turqisë në vitin 1923, me organizimin e kongresit të parë mysliman më 24 shkurt deri 13 mars, kryesuar nga Dërvish Hima. Në këtë kohë pushteti i Ahmet Zogut kishte aprovuar masa ligjore që synonin kontrollin mbi bashkësitë fetare. Kongresi zgjodhi komisionin për hartimin e statutit si dokumenti më i rëndësishëm i tij. Në nenin 6-7 përcaktohej zgjedhja e Këshillit të Naltë të Sheriatit Islam me kryetar Vehbi Dibra. Ky këshill ngarkohej që të ngrinte Medresenë e Naltë, si nevojë urgjente për Shqipërinë. Kjo u vendos në një kohë kur nuk ishte krijuar gjimnazi i Tiranës, por ekzistonte vetëm shkolla teknike.Medreseja u hap në vitin 1924 me vendim të qeverisë shqiptare për efekt license. Në zbatim të artikullit 60 të statutit të Komunitetit Mysliman, Medreseja e Përgjithshme konsiderohej si një institut mësimor fetar e kombëtar, ku përfshinte tre kategori: fillore – lice – universitet, ku secila periudhë të ishte nga 4 vjet. Këshilli i Naltë i Sheriatit në fillim propozon hapjen e tri klasave për mungesë të godinës e anës financiare. Nga çdo prefekturë do të pranoheshin nga pesë nxënës, që u siguronin dhe financimin e tyre. Këshilli i Naltë emëroi si drejtor Qamil Balën, pjesëmarrës në kongresin islam dhe anëtar i Këshillit të Naltë të Sheriaitit. Shkolla do të funksiononte me një rregullore të aprovuar prej 92 nenesh, me personel tërësisht shqiptar, me programe e organizim bashkëkohor të hartuar nga teologët e Komunitetit Mysliman.

Më 24.02.1924 u regjistruan 24 nxënës. Personeli arsimor ishte: Hafiz Ali Korça, mësues i gjuhës arabe; Sulejman Kadiu, mësues i Kur’anit, fikhut dhe gjuhës shqipe; Major Rexhep Berati, mësues i matematikë-gjeometri; kapiten Musa Puka, mësues i gjimnastikës; Haki Tefiku, mësues i histori-gjeografi; Pertef Pogoni, mësues i frëngjishtes; Jashar Qemali i higjienës; Qamil Bala i shkencës; Gani Strazimiri, mësues i vizatimit; doktor Sabriu, vizitë mjekësore javore. Në semestrin e dytë, 01.09.1924 emërohen profesorë të rinj si Haxhi Tahiri, Haxhi Dashi, Sali Çela, Emin Jakova e Avni Zajmi.

Në kongresin e III islam që u mbajt më 6 korrik -3 gusht 1929 u vendos që Medreseja të emërtohej “Medrese e Përgjithshme”, për shkak se u mbyllën medresetë e qarqeve. Në vitin 1931 përfundoi së ndërtuari godina e re e Medresesë dhe në inaugurimin e saj, në fjalën e hapjes foli politikani e sociologu shqiptar Mehdi Frashëri, ku ndërmjet të tjerash do të citonte: “Ky qe një sihariq për tërë botën islame shqiptare. Përparimi i vrullshëm për ne shqiptarët është një nevojë e jetës. Medresetë do të jenë foleja e prijësve të fesë islame në Shqipëri, e duhet të konfirmohen me frymën e shekullit brenda të cilit jetojmë.” (Zani i Naltë, Nr. 6, fq. 154-158)

Më 23.10. 1932 këshilli i përhershëm i Komunitetit Mysliman organizoi shpërndarjen e parë të 16 diplomave të studentëve, maturantëve të kësaj shkolle. Numri i nxënësve erdhi duke u shtuar saqë në vitin 1936 arriti në 100 nxënës të brendshëm dhe 25 nxënës të jashtëm. Evenimenti më i rëndësishëm ishte vizita e një ministri nga SHBA i shoqëruar nga kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, dr. Behxhet Shapati.

Medreseja formoi fizionominë e një institucioni me vlera islame ku merrej formim i shëndoshë fetar e kombëtar, ndaj edhe fitoi emër të mirë në të gjithë vendin e më gjerë. Cili ka qenë profili i medresistëve të parë?

Profili i medresistëve të parë ka qenë i shkëlqyer. Kështu Shaban Demiraj nga Vlora mbaron me gradën “Lavdrueshëm” e arin të bëhet kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë; Sali Ferhati, vaiz shëtitës në Berat e më vonë Myfti i Peshkopisë; Shefqet Jashari mësues feje e më vonë Myfti i Peqin-Shijak. Po kështu emërohen 8 maturantë vaizë shëtitës si: Enver Beqiri, Hafiz Sahiti, Limon Bushati, Shefqet Balla, Hasan Selami, Adem Mehmeti etj. Më datë 24.06.1939 të gjashtë maturantët shkojnë në Peruxhia të Italisë për të ndjekur kursin veror të gjuhës italiane shoqëruar nga profesori i tyre. Studentët që mbaruan jashtë si Vexhi Demiraj në Kajro, renditet studenti i dytë që merr diplomën me rezultate të larta, emërohet në Medrese profesor i filozofisë në vitin 1939, zgjidhet sekretar i shoqatës bamirëse kulturore dhe e rinisë myslimane në kryeqytet dhe kryeredaktor i revistës “Arsyeja”; Sadik Bega diplomohet në Kajro, emërohet drejtor i revistës “Kultura Islame”; Sherif Putra diplomohet në Universitetin “Lahora” të Indisë dhe punësohet redaktor i revistës “Kultura Islame” e më vonë drejtor i Medresesë. Vexhi Buharaja fiton konkursin letrar të shpallur në fletoren “Tomorri” për prozë e poezi dhe bëhet një nga orientalistët më të shquar shqiptarë në përkthimin e mjaft veprave nga gjuhët e lindjes.

Cili është kontributi për shoqërinë i të diplomuarve në këtë institucion fetaro- arsimor?

Krahas detyrave fetare si imam, vaiz, myfti si dhe u përmend më lart, medresistët kanë kontribuar dhe në sektorë të ndryshëm të jetës civile-dominon profesioni i mësuesit, pasi një pjesë e konsiderueshme u diplomuan në Universitetin Shtetëror në degën e mësuesisë si: Sefer Bajraktari, Mehmet Balla, Mehmet Sinella, Ismail Muçej, Besim Ali Mehmeti etj, të diplomuar para çlirimit të vendit, ndërsa mbas vitit 1944, gjatë pushtetit komunist ka një numër më të madh medresistësh nga Kavaja, Durrësi, Tirana, Peshkopia që morën arsimin e lartë e kontribuuan në arsim, por edhe në degët e tjera të ekonomisë, që po të rendisim emra e kalojnë numrin 30. Në Tiranë Ibrahim Balla, Faik Kasollja, Ali Basha në Universitetin e Tiranës, Xhemal Balla, drejtor e inspektor arsimi, Ali Hoxha, Muhamed Xhimdulla, Fahri Doçi etj; në zonën e veriut, Hekuran Balliu, Idriz Xhaferri, Kujtim Gjinishi, drejtor arsimi, Zyhdi Çaça etj.

Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, si feja e besimi në përgjithësi, medreseja pati goditje me ashpërsi në rritje. A ka pasur raste ku profesorë apo medresistë janë persekutuar dhe burgosur nga regjimi totalitar?

Ardhja në pushtet e komunistëve solli reforma në fe dhe në përndjekjen e kuadrove të saj. Eksponentë të shquar të klerit mysliman u persekutuan e u burgosën si: Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ismet Dibra, Hafiz Sabri Koçi, Faik Hoxha, Ismail Muçej, Haki Sharofi, Jonuz Buliqi, Ibrahim Hasanaj, Haxhi Mustafa Varoshi, Hafiz Sherif Langu, Selim Gashi, Sheh Ali Pazari, Shyqyri Myftiu i ekzekutuar; Sheh Ibrahim Karbunara i pushkatuar etj, etj. U hoqën nga puna ose u burgosën të gjithë sepse dyshoheshin se ishin kundër pushtetit.

Mbas shpalljes së kushtetutës së re në mars të vitit 1946, shteti e ashpërsoi edhe më shumë luftën jo vetëm kundër klerit mysliman por edhe ndaj Medresesë. Ju hoq titulli Medrese e Naltë dhe u la vetëm shkollë e mesme dhe vazhdoi të funksionojë sipas programit të shkollave profesionale kryesisht të pedagogjikes. Ministria e Arsimit gradualisht u përpoq që programi i shkollës të shkoi drejt laicizmit. Ministria e Drejtësisë me shkresë datë 27.01.1947 kërkon lirimin e xhamive për shkollën 7 vjeçare “Misto Mame”. Gazeta “17 Nëntori”, organ i Frontit Demokratik të Tiranës e datës 23.12.1946, boton artikullin me titull “Dhe mban akoma emrin shkollë!?”. Ndërmjet të tjerash thuhet: “Thuhet se në medrese punohet sipas programit të Ministrisë. A mund të jetë e vërtetë kjo? Pse rrinë në Medrese 170 nxënës? Mos vallë u pëlqen?… Nxënësit kanë kërkuar suprimimin e Medresesë etj. etj. Kjo ishte një nxitje kundër Medresesë. Hoqi ditën e premte si ditë pushimi dhe e kaloi të dielën për të penguar faljen e ditës së premte.

Këshilli i Përgjithshëm në vitin 1953 me nxitje nga lart pushoi nga puna profesorët e medresesë si: Haki Narazani, Imer Saraçi, Jonuz Bulej, Selman Stërmasi etj. Në vitin 1964 me vendim Nr. 1 datë 22.08.1964, Këshilli i Përhershëm e mbyll Medresenë dhe ndalon propagandën fetare me urdhër nga lart.

Si ka qenë niveli i Medresesë së Tiranës gjatë periudhës së parë, krahasuar edhe me shkollat e tjera në kryeqytet?

Niveli i programeve dhe kërkesave ka qenë i lartë. Kanë dalë nxënës të shkëlqyer si Shaban demiraj, Vexhi demiraj, Vexhi Buharaja që kanë triumfuar në konkurset e organizuara me shkollat e qytetit. Këta kanë arritur grada të larta shkencore në jetën e tyre dhe i kanë shërbyer kombit.

Medreseja e Tiranës u rihap në vitet `90 kur në Shqipëri ishte lënë i lirë besimi, po ringjallej jeta fetare. Si e kujtoni rihapjen e saj?

Me ardhjen e demokracisë në vendin tonë, u rihap Medreseja në vitin 1991-1992 ku për bazë të lëndëve të kulturës së përgjithshme mori gjimnazin të aprovuar nga Ministria e Arsimit, me të drejtë që nxënësit të vazhdojnë studimet dhe në Universitetin Shtetëror. Lëndët fetare përfshijnë: Kur’an, besim, histori islame, Akaid, Fikh, Usuli Fikh, Hadith, Tefsir, gjuhë arabe. Fillimet qenë shumë të vështira, pa baza didaktike dhe pa godinë. U përshtatën disa magazina pranë Xhamisë së Kokonozit, Tiranë. Gëzimi qe i madh si nga ana e drejtuesve ashtu dhe e besimtarëve myslimanë. Ajo ditë u kthye në ditë feste. Bërthamën e personelit mysliman e bënë ish medresistët që ishin diplomuar në Universitetin e Tiranës dhe kishin punuar në arsim si: Ibrahim Balla (drejtor); Xhemal Balla (n/drejtor); Selim Stafa (arabisht); Ali Hoxha (arabisht e gjuhë letërsi); Hafiz Shaban Saliaj, Ali Basha, Mehmet Sinella, Hekuran Balliu, Rrahman Balla, Ismet Tançica, Sadik Çollaku etj.

Cila ishte pritja që i bëri populli i Tiranës?

Gëzimi ishte i papërshkrueshëm. Besimtarë dhe intelektualë morën pjesë në rihapjen e saj. Tarik Llagami, ish drejtor i gjimnazit “Partizani” në Tiranë bën një reportazh të bukur për hapjen dhe perspektivën e saj dhe rolin për përgatitjen e kuadrove fetarë vendas. Baza materiale u sigurua me ndihmë nga shkollat e shtetit si “Fan Noli” e ndonjë tjetër. Ajo funksionoi me seriozitetin më të madh në zbatimin e programeve mësimore derisa krijohen mundësitë për të kaluar në ish godinën e saj të zaptuar nga shëndetësia me fakultetin stomatologjik.

Ju jeni një kuadër i vjetër e me përvojë të gjatë, sipas jush cilat janë përparësitë e Medresesë në krahasim me institucionet e tjera arsimore të sistemit parauniversitar?

Dallimi qëndron vetëm në futjen e programit të disa lëndëve fetare islame, që e formojnë nxënësin nga ana e besimit. Ndërsa lëndët e kulturës së përgjithshme janë të barabarta me programin e gjimnazit shtetëror dhe nxënësi që mbaron këtë shkollë nga parimi edukativ-themelor është i barabartë me ta dhe nuk ka asnjë pengesë për të vazhduar shkollën e lartë si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij.

Në vitet e para Medreseja provoi vështirësi të mëdha e serioze që i kapërceu gradualisht, duke filluar nga mungesa e ndërtesës e mjeteve didaktike-mësimore, kuadri i kualifikuar mësimdhënës, programet e deri te tekstet mësimore aq të nevojshme. Ç’mund të na thoni për medresenë sot?

Sot Medreseja radhitet ndër shkollat më të mira me programe e bazë didaktike bashkëkohore, që i plotëson nevojat e zbatimit të programeve me laboratorë përkatëse si biologji-kimi, fizikë, gjuhë të huaja, informatikë etj. Kjo shkollë e ka afirmuar veten me pjesëmarrjen e nxënësve të saj në konkurse brenda vendit krahas shkollave të tjera si dhe jashtë vendit duke fituar çmime të vendeve të para, të dyta e të treta.

Nxënësit e ndiejnë veten të privilegjuar që vazhdojnë këtë shkollë.

 (Revista Drita Islame, Shtator 2012)