Medreseja-e-Cerrikut

Medreseja “Liria” Cërrik, risi në arsimin fetar në Shqipëri

Arsimi konsiderohet një shtyllë bazë e ecjes përpara të njerëzimit, të kristalizimit të dijes dhe edukimit. Një popull për të qenë i shëndoshë duhet të përpiqet të ngrihet sa më tepër në arsim. Arsimi është i shenjtë, fjala “mëso” dhe “studio” është zbritja e parë Kuranore. Njeriu për bazë duhet të ketë fenë dhe kombin e tij. Feja garanton rrugëtimin e drejtë dhe harmoninë e jetës materiale dhe shpirtërore. Kombi stabilizon qëndrimin gjithë popullor, neutralizon grindjet eventuale brenda shoqërisë me ideale të ndryshme.

Edukimi përbën një shërbim njerëzor, sepse ne jemi dërguar këtu për të mësuar dhe për t’u përsosur si një qenie përmes edukimit, siç thotë dhe mendimtari F. Gylen, i cili jep një dallim të qartë mes edukimit dhe mësimdhënies: “Shumë njerëz mund të jenë mësues, por numri i edukatorëve është shumë i kufizuar”.

Medresetë si shkolla me përmbajtje fetare kanë ekzistuar dhe më përpara, por pas viteve ’90 ato patën një bum të vërtetë përhapjeje. Medreseja “Liria” është një institucion i pavarur, e cila mbështetet në shërbimet e Fondacionit “Sema” për të siguruar subvencionet edukative dhe burimet njerëzore.

Dua të ndalem në një shpjegim më të hollësishëm të termit “medrese”, e cila në piramidën e arsimit fetar islam, i korrespondon arsimit të mesëm. Medresetë si institucione fetare, arsimore, kulturore dhe edukative, shërbejnë si vatra të kualifikuara të përfitimit e të përhapjes së edukatës islame dhe njëkohësisht të përhapjes së diturisë dhe të ideve të larta njerëzore e qytetare.

Me dhjetëra mësues nga Turqia, kanë lënë atdheun dhe familjet e tyre për një qëllim të lartë, arsimimin e brezave tanë (me planin shkencor dhe moral), duke punuar me një ndjenjë kënaqësie dhe vetëmohimi, duke dëshmuar përkushtimin e tyre ndaj njerëzimit. Kjo shkollë nënkupton lidhje të qenies njerëzore dhe Zotit, pra unitet të mendjes dhe të zemrës.

Programi arsimor i kësaj shkolle ka përcaktuar një metodë progresiste në matematikë dhe një formë të re eksperimentale logjike, duke i nxitur nxënësit të mësojnë me dëshirë në të gjitha lëndët, duke i dhënë një dinamikë të re arsimit, siç thotë dijetari islam Gylen: “Ata që duan të reformojnë botën, duhet së pari të reformojnë vetveten, me qëllim që t’i sjellin të tjerët në udhën për një botë më të mirë, ata duhet të pastrojnë botën e tyre të brendshme nga urrejtja, smira, xhelozia dhe të zbukurojnë botën e tyre të jashtme me të gjitha llojet e virtyteve”.

Janë pikërisht këta individë, këta edukatorë të palodhur që duke u vënë në shërbim të Allahut të Madhëruar, valëvitën jashtë ndjenjave të egoizmit, duke mbajtur në duar pishtarin e dijes, duke luftuar arrogancën dhe injorancën e përhapur kudo. Ata rendin si maratonomakë të vërtetë drejt njerëzve të pafat pa u ankuar dhe pa kërkuar asgjë si shpërblim. Ata lumturohen me kënaqësinë e të jetuarit për të tjerët duke lënë në harresë dëshirën e të jetuarit për vete. Kjo është thelbësore, sepse njeriu krijon një bosht vlerash të çmueshme në përputhje me idealet, dhe ky rrezatim shtrihet gjithandej, futet në venat e damarëve si të ishte gjak, siguron një qëndrueshmëri ndaj urisë, etjes, egos, modelon shpirtin dhe domethënien e tij duke u zhytur përditë në modesti. Ky njeri pëshpërit vazhdimisht: “Ti, o Allah je gjithçka për të cilën unë kam nevojë “.

Një aspekt tjetër që dua të ndalem (pasi shfaqet në dinamikën e kësaj shkolle), është tërësia e marrëdhënieve mësues-nxënës, mësues-prindër dhe nxënës-nxënës. Kjo shkollë nxit një sërë marrëdhëniesh mbi baza emocionesh, sinqeritet dhe ndjeshmëri ndërmjet gjithë njerëzve të përfshirë në edukimin e një nxënësi. Puna edukative që rrezaton kjo shkollë ka risjellë marrëdhënie të ngrohta dhe pozitive ndërmjet familjeve, lagjeve, bashkësive të ndryshme duke rindërtuar “njeriun e shoqërisë “, që është vetë sakrifikues dhe i devotshëm ndaj vendit të tij dhe njerëzimit, është heroi i dashurisë dhe i mëshirës.

Këta mësues janë udhëtarë të palodhur, janë “ambasadorë të kulturës”, të cilët kanë zgjedhur mësimdhënien si një model për të larguar njeriun nga interesi personal, egoizmi, materializmi dhe kulti i individit, duke shfaqur kaq shumë dashuri për përgjegjësitë dhe kauzën e tyre, duke siguruar ura historike midis popujve. I dërguari i Zotit, Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Nëse ata do të vendosnin diellin në dorën time të djathtë dhe hënën në dorën time të majtë, për të më detyruar ta braktis kauzën time, unë do të refuzoja ta bëja këtë derisa Zoti të bëjë që e vërteta të triumfojë, apo derisa të vdes në këtë udhë“.

Medreseja “Cërrik” është sipari i hapjes së medreseve në Shqipëri pas viteve ’90të, një shembull i jashtëzakonshëm i përvojave personale të këtyre edukatorëve dhe një bashkëjetesë e shkëlqyer midis fesë dhe shkencës. Aktivitetet e ndryshme letrare, sportive, edukative, olimpiadat e ndryshme në lëndët shkencore midis shkollave, konkurset e ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, seminaret e ndryshme në reformimin dhe aplikimin e metodave të reja të mësimdhënies, kanë krijuar një model të ri edukimi duke formësuar anëtarët e shoqërisë së të ardhmes.

Duke i përshëndetur të gjithë nismëtarët e hapjes së këtyre shkollave, të gjithë mësuesit e këtyre medreseve të të gjitha profileve më një nderim të thellë dhe mirënjohje të pashoq që edukojnë dhe rrisin brezat e rinj (Zoti ua shpërbleftë ), po e mbyll këtë rrugëtim jo të gjatë me një thënie kuptimplotë të mendimtarit Gylen: “Shkolla është një laborator esencial, kurset e saj janë ilaçi i jetës dhe mësuesit janë dijetarët heroikë të kësaj infermierie mistike që shëron njerëzit nga sëmundjet shoqërore”.

nga Bajram Omeri/ Drita Islame/Fondacioni Sema