Nis viti i ri shkollor në Medresetë e vendit

Ka nisur sot në gjithë vendin viti i ri shkollor. Këtë vit do të jenë 36 mijë nxënës që do të ulen për herë të parë në bangat e shkollës dhe 75 mijë fëmijë u drejtohen kopshteve, kurse sistemi parauniversitar numëron 579 mijë nxënës.

Medresetë në të gjithë vendin kanë hapur dyert për fillimin e vitit të ri shkollor me një fluks të madh nxënësish.  Në ceremoninë e hapjes së vitit të ri shkollor në Medresenë e Tiranës, drejtori i kësaj shkolle Hiqmet Patozi, i uroi mirëseardhjen nxënësve dhe u shpreh se kjo shkollë ka patur ndër vite suksese të shumta dhe një nivel të lartë të arsimimit dhe edukimit të fëmijëve.

Z. Patozi tha për “Drita Islame” se këtë vit ka patur një kërkesë të lartë dhe një pjesëmarrje më të madhe në konkurset e pranimit në medrese, ku janë pranuar më të mirët. “Këtë vit është shtuar numri i nxënësve që duan të ndjekin medresenë dhe pjesëmarrja në konkurse ka qenë shumë e lartë, por sigurisht janë përzgjedhur më të mirët. Ky interesim nuk ka qenë vetëm për medresenë e Tiranës, por mesa jam i informuar nga kolegët e mi, në të shtatë medresetë e vendit, ka pasur një kërkesë të lartë të nxënësve që duan të futën në këto shkolla”, u shpreh z. Patozi.

I pranishëm në çeljen e vitit të ri shkollor në Medresenë e Tiranës ishte edhe nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Bujar Spahiu, i cili uroi nxënësit për fillimin e vitit të ri  shkollor.

“Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, falënderoj Medresenë e  Tiranës për përkushtimin dhe punën e palodhur në drejtim të arsimimit dhe edukimit të nxënësve. Kjo shkollë, por edhe të gjitha medresetë e Shqipërisë kanë treguar se janë një vatër edukimi ku nxënësit krahas dijeve shkencore e shoqërore marrin edhe kulturën fetare, duke i kompletuar ata. Medreseja është një vatër kulture e cila ka pasqyruar dituri dhe ka nxjerrë nxënës të aftë të cilët nëpërmjet veprimeve të tyre kanë treguar respektin dashurinë për shoqërinë, vendin dhe familjen. Duke u nisur nga hadithi i Profetit Muhamed a.s.  “kush ndjek një rrugë që ka dituri në të, Allahu i lehtëson rrugën për në xhenet” si dhe nga fjala  e parë e Kuranit “lexo me emrin e Zotit tënd, i cili të ka krijuar”, ju uroj suksese dhe një vit të mbarë shkollor”, tha nënkryetari i KMSH z. Spahiu.

Të pranishëm gjithashtu ishin prindër e familjarë të shumtë, stafi pedagogjik si dhe fëmijët me lule në duar që mezi prisnin t’ua dhuronin mësuesve të tyre.

Ndërkohë Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri akademik.

“Urimi i parë si gjithnjë shkon për ju vogëlushë, ju nxënës që uleni për herë të parë në bangat e shkollës, për ju që përcilleni nga dora e prindit dhe shtrëngoni dorën e mësuesit, për të nisur rrugën e gjatë, por të bukur të dijes, ju keni sot në duar abetaren mbarëkombëtare. Një urim për të gjithë ju nxënësit e klasave të tjera që në këtë ditë e ndjeni veten më të rritur e më të ditur dhe që jeni fort të motivuar për t’u bërë më të aftë për veten familjen dhe shoqërinë. Një urim edhe për ju mësues dhe mësuese që meritoni mirënjohje dhe nderim”, tha ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj.

 

/Drita Islame/Fondacioni Sema