Njoftim

Duke u nisur nga zhvillimet e fundit në fushën e arsimit të lartë në vend, ndiejmë të nevojshme të informojmë opinionin publik se:

Shkolla e Lartë “Hëna e Plotë” (Bedër) vlerëson dhe mbështet hapin e ndërrmarrë nga qeveria shqiptare për përmirësimin dhe zhvillimin e Arsimit të lartë në Shqipëri.

Bedër që nga themelimi i tij, është udhëhequr nga parime të larta profesionale dhe i gjithë aktiviteti i zhvilluar është konform ligjeve dhe rregullave në fuqi.

Standardi që Shkolla e Lartë “Hëna e Plotë” (Bedër) ka sjellë në administrimin dhe organizimin e aktivitetit akademik, kërkimit shkencor, mësimdhënies dhe kontributit në shoqëri përbën një hap avangard për sistemin e Arsimit të lartë në vendin tonë.

Raportet e publikuara dhe kontaktet zyrtare pas çdo kontrolli të kryer nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL), të publikuara dhe në faqet zyrtare të këtyre institucioneve vlerësojnë maksimalisht performancën dhe funksionimin e Bedër.

Pas publikimit të Raportit për verifikimin e kritereve të ligjshmërisë në Institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri, Shkolla e Lartë “Hëna e Plotë” (Bedër) ka zhvilluar një dialog intensiv me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit ku ka shpjeguar pozicionin e saj përkundrejt situatës së paraqitur në këtë raport.

Bazuar në sugjerimet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe në argumentat e paraqitura nga Shkolla e Lartë “Hëna e Plotë” (Bedër), rezulton se konstatimet e raportit janë me karakter teknik që mund të përmbushen në një afat disa ditor.

Shkolla e Lartë “Hëna e Plotë” (Bedër) disponon të gjithë dokumentacionin e kërkuar në përmbushje të rekomandimeve të paraqitura në raportin në fjalë.

Ky proces nuk cënon regjistrimet e reja për vitin akademik 2014-2015 dhe aktiviteti i Shkollës së Lartë “Hëna e Plotë” (Bedër) vazhdon normalisht.

Shkolla e Lartë “Hëna e Plotë” (Bedër)
Zyra e Marrëdhënieve me Publikun dhe Median