Panairi Shkencor në Medresenë e Tiranës (FOTO LAJM)

Medreseja e Tiranës në vazhdën e traditave të bukura të sjella prej saj në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale Tiranë, ka organizuar në datat 2, 3 dhe 5 Maj në ambjentet e shkollës Panairin Shkencor 2012.

Nën drejtimin, mbështetjen dhe përkrahjen e mësuesve të lëndëve përkatëse nxënësit e kësaj medreseje paraqitën mbi 50 eksperimente të ndryshme shkencore  në fushën e Fizikës, Matematikës, Kimisë, Biologjisë, Informatikës , Anglishtes, Turqishtes, Arabishtes si dhe një teknikë të re të artit figurativ në ujë i cili quhet “EBRU”.

Të ftuar në këtë aktivitet ishin: Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës Z. Fatmir Vejsiu, Kryetari i Minibashkisë Nr. 8 Z. Arben Tafaj, Nënkryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë  Z. Bujar Spahiu, Drejtori i Drejtorisë Arsimore të Komunitetit Musliman të Shqipërisë  Z. Altin Shima, Rektori i Universitetit Bedër – Hëna e Plotë Z. Ferdinand Gjana, Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit Bedër – Hëna e Plotë Z. Fatih Ufukbağcı, përfaqësues së  Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë dhe Qarkut Tiranë, drejtorë të shkollave të rretheve Tiranë, Lezhë dhe Kukës, përfaqësues të Fondacionit Arsimor Kulturor “Sema”, mësues e të ftuar të tjerë.

Qëllimi i këtij aktiviteti është që nxënësit të njihen sa më afër me aplikacionet më të fundit që mund të bëhen në lëndët që ata studiojnë në shkollë.

Këtë aktivitet e vizituan nxënës nga shumë shkolla të rrethit të Tiranës në kuadër të bashkëpunimit midis shkollave të këtij rrethi, për angazhimin e talenteve të reja, në shërbim të punës kërkimore shkencore.

Duhet theksuar se nxënësit  e shkollës sonë paraqitën një shkallë të lartë profesionaliteti në eksperimentet e ndryshme që ata paraqitën për të ftuarit. Vlen për tu theksuar edhe interesi i madh që shfaqën nxënësit e ardhur.

Ndër projektet më kryesore në këtë panair shkencor mund të veçojmë: Dërasë elektronike e pregatitur me teknologjinë Wii, Raketë me ujë, stimulimi i bombës së hidrogjenit, testimi i grupit të gjakut, Wooden puzzles,  ekspozitë me sendet tradicionale shqiptare, shkrimi artistik, etj…

Për të gjithë të pranishmit në këtë aktivitet kishte doner, top sheqeri dhe kokoshka.

/Fondacioni Sema