Përcillen me lutje e dua 350 haxhinj nga Shqipëria

Paraditen e sotme (19.10.2012), janë përcjellë për në vendet e shenjta, Mekë dhe Medine mbi 350 besimtarë nga mbarë Shqipëria për të kryer ritualin e Haxhit.

Me këtë rast është organizuar edhe një ceremoni e shkurtër në aeroportin e Rinasit për nder të haxhinjve nga e gjithë Shqipëria, dhe nga Mali i Zi, të cilët do të udhëtojnë drejt vendeve të shenjta, në Arabinë Saudite, për kryerjen e haxhit të këtij viti, të gjithë së bashku.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm nënkryetari i KMSH-së z. Bujar Spaiu, myftiu i Tiranës Ylli Gurra, myftinj të rretheve të ndryshme, drejtorë drejtorish nga kryesia e KMSH-së, etj.

Në fjalën e tij, nënkryetari i KMSH-së Bujar Spahiu, u ka dërguar përshëndetjet e Kryetarit H. Selim Muça dhe i ka kërkuar hanxhinjve që të bëjnë sa më shumë dua për veten e tyre, familjen, vendin tonë, popullin shqiptar e në veçanti për myslimanët, për t’i begatuar Allahu me të mirat e Tij të pafundme. Ai gjithashtu është lutur për ta, duke i uruar rrugë të mbarë, udhëtim të lehtë dhe Haxh të pranuar drejt vendeve të shenjta.

Më pas ka përshëndetur edhe kryetari i Këshillit të Përgjithshëm H. Ylli Gurra, i cili pasi i ka uruar haxhinjve udhë të mbarë, ka bërë duanë e rastit, duke iu lutur Allahut që t’ia pranojë haxhin atyre. Z. Gurra i ka kërkuar haxhinjve që të përfitojnë nga kjo vizitë e mrekullueshme, për të arritur kënaqësinë e Allahut të Madhëruar dhe mëshirën e Tij të pakufishme, si dhe të bëjnë shumë dua gjatë Haxhit, sidomos në Qabe dhe Arafat, si dhe t’i dërgojnë selame Resulullahut (a.s.) në emër të të gjithë besimtarëve myslimanë nga Shqipëria.

Zyra e Haxhit në Komunitetin Mysliman  të Shqipërisë  ka caktuar një grup organizatorësh dhe udhërrëfyesish të cilët do të jenë përgjegjës për mbarëvajtjen ë këtij udhëtimi të rëndësishëm në mënyrë që të shfrytëzohet ashtu siç duhet nga secili haxhi.

Për të gjithë hanxhinjtë janë shpërndarë ihramet, libri “Udhëzues për Haxhin”, numra telefonikë të Arabisë Saudite, etj. Haxhinjtë e këtij viti janë nisur për në Xhiddeh me dy avionë charter.

KMSH lutet që All-llahu i Madhëruar t’ua lehtësojë dhe pranojë haxhin të gjithë besimtarëve!

/Drita Islame/