Programi “Të jetësojmë vlerat e besimit”

Medreseja e Tiranës organizoi programin “Të jetësojmë vlerat e besimit, dashurinë, vëllazërinë, përkrahjen, paqen dhe respektin”. Në programin e përgatitur nxënësit e Medresesë përçuan mesazhe dashurie, vëllazërimi dhe besimi. Me anë të poezive, ilahive, prozave, historive të ndryshme dhe pjesëve teatrale ata theksuan dhe nxorën në pah bukuritë e besimit dhe qetësinë shpirtërore që ai të ofron. Në këtë program ishin të pranishëm drejtori i Medresesë së Tiranës, z. Ali Zaimi, nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Gazmend Aga, drejtori i Medias dhe Marrëdhënieve me Publikun në KMSH, z. Oltion Kola, drejtori i Kulturës në KMSH, z. Genti Kruja, drejtori i Arsimit në KMSH, z. Astrit Zharri, mësues, të ftuar të ndryshëm dhe nxënës të Medresesë. Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i Medresesë, z. Zaimi falënderoi nxënësit për mesazhet e bukura dhe programin e përgatitur. “Këto vlera që na u kujtuan në këtë program duhet të jenë pjesë e pandashme e jetës sonë. Me anë të këtyre vlerave ne do të jemi më të dashur dhe më të paqtë me njëri-tjetrin. Të mundohemi gjithmonë që këto vlera t’i përvetësojmë sa më shumë dhe t’i jetësojmë tek të tjerët” tha ndër të tjera z. Zaimi. Ndërsa nënkryetari i KMSH-së z. Aga tha se profetët dhe së fundmi Profeti Muhamed a.s kanë qenë shëmbëlltyra të jetësimit dhe vlerave më të larta të besimit. “Profeti Muhamed a.s ishte një shëmbëlltyre e të gjitha këtyre vlerave, besimit, dashurisë, vëllazërisë, përkrahjes, respektit e paqes. Ndër cilësitë dhe trashëgimitë më të mëdha që ne kemi marrë nga profetët është jetësimi. Njeriu duhet ta shohë si humbje jetesën vetëm për veten e tij. Heronjtë e historisë së njerëzimit janë njerëzit të cilët kanë sakrifikuar nga jeta e tyre për të jetësuar”, tha ndër të tjera z. Aga. Në fund të programit të gjithë të pranishmit u bënë pjese e lutjes e cila mbylli edhe programin me mesazhe të vyera të besimit.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *