Rëndësia dhe qëllimi i Haxhit dhe Kurbanit

Përveç përfundimit të Kur’anit Famëlartë, festa e Kurban bajramit është e lidhur ngushtë edhe me Haxhin, i cili është obligim i pestë themelor i myslimanëve dhe paraqet ngjarje të adhurimit të Allahut, si dhe ngjarje e kontratave dhe tubimeve të myslimanëve. Për këtë atij i është dhënë dhe i është kushtuar kujdes i veçantë dhe gjithmonë ka qenë preokupim kryesor i atyre të cilët e kanë pasur për obligim të vizitojnë shtëpinë e Allahut-Qa’ben dhe të falen në të, të shohin xhaminë e Pejgamberit (a.s.), të vizitojnë Bedrin, Arafatin, Minën, etj., duke i përkujtuar momentet më të vështira të Profetit (a.s.) gjatë kryerjes së misionit të Allahut (xh.sh.).

Të flasësh për rëndësinë e vizitës së Haxhit nuk është lehtë për arsye se çdo detyrë apo obligim islam jep ide të shumta dhe njeriu merr prej tyre aq sa është në gjendje të thellohet në domethënien e tyre. Ne do do të mundohemi të përkufizohemi vetëm në disa nga porositë dhe qëllimet e Haxhit.

Haxhi pikërisht vërteton përulësinë e besimtarëve dhe nënshtrimiin e tyre ndaj urdhrave të Allahut si dhe vërteton vendosmërinë e tyre për të qenë robë dhe të adhurojnë vetëm Allahun, dhe se kurrsesi robër të interesave dhe të mirave materiale. Pra, qëllimi kryesor i Haxhit është adhurimi i sinqertë i Allahut – ibadeti.

Në të njëjtën kohë haxhi paraqet kongresin më të madh vjetor gjithislam, i cili mundëson njohjen reciproke të besimtarëve, mundëson shfrytëzimin e përvojave dhe analizimin e nevojave të përbashkëta, etj. Pra, ai është takim ku besimtarët duhet të ndërrojnë mendime, përvoja dhe dituri të ndryshme me qëllim të dhënies së kontributit më të madh në të gjitha sferat e humanizmit të përgjithshëm njerëzor.

Haxhi, po ashtu paraqet tubimin më të madh dhe më të rregult botëror mbi mirëqenien njerëzore. Gjatë kryerjes së këtij obligimi fetar, në çdo lëvizje, në çdo hap dhe ritual duhet të dominojë paqa dhe mëshira. Këtë e kuptojmë nga fjalët e Allahut xh.sh., kur thotë:

“Haxhi është në muaj të caktuar. Ai që është i detyruar ta kryejë Haxhin në atë muaj nuk duhet të ketë kontakt me gra, as të flet fjalë të këqija…”(Bekare, 197)

Pra, ai është tubim ku mbizotëron paqja me Krijuesin, paqja me pjesmarrësit në rituale, paqja me shtazët, paqja me shpezët dhe insektet. Në këtë vend dhe gjatë kësaj kohe nuk guxon të shqetësohet askush, bile nuk guxon askush të shikohet shtrembër, e as t’i bëhet dikujt ndonjë sulm fizik apo dëm tjetër.

Kryerja e Haxhit paraqet demonstrim të universalitetit islam, demonstrim i vëllazërisë dhe barabarësisë në mes të myslimanëve. Gjatë gjithë kohës së Haxhit gjenden të tubuar i bardhi, i ziu, i kuqi, i verdhi të veshur me veshje të njëjtë të çliruar nga epitetet kryetar, sundues, pasanik, mbret, rob, i varfër, i padijshëm, etj. Të gjithë janë të barabartë sikur kokrat e rërës në shkretëtirë. Gjatë asaj kohe mbretëron përulësia, devotshmëria dhe afrimi tek Allahu. Vetëm këtu në këtë vend të bekuar mund të shihet se besimtarët nga të gjitha vendet e botës, në mënyrë vëllazërore shtrëngojnë duart njëri me tjetrin dhe me lot ndër sy nga gëzimi i madh përqafohen të vetëdijshëm se janë në vendin e bekuar, aty ku egoizmi dhe interesi material i kësaj bote nuk kanë vend dhe ndikim, aty ku flet ndërgjegja e pastër, zemra e pastër dhe morali i pastër.

Këtu në këtë vend të bekuar, në të menduarit e çdo vizitori të Qabes i përkujtohen fjalët e Muhamedit(a.s.), i cili në Haxhin e fundit të tij, para 14 shekujsh, për herë të fundit i apeloi njerëzimit me fjalimin e tij të famshëm, ku mes të tjerash tha:

”O besimdrejtë!…ju të gjithë jeni plotësisht të barabartë në të drejta dhe obligime! Kurrfarë përparësie nuk ka në mes të arabit dhe joarabit, as në mes të bardhit dhe të ziut. Të gjithë ju jeni bijtë e Ademit, dhe Ademi është prej toke! Ruajeni dhe çmojeni personalitetin e njeriut dhe dinjitetin e tij! Njeriu është vepër madhështore e Allahut dhe mjerë për atë që e rrënon nderin e veprës së Allahut xh.sh…. Mbaroi periudha e paditurisë dhe traditave të zymta të cilat aq shumë të këqija i sollën gjinisë njerëzore… Gjakmarja është e ndaluar …”

Pra, siç shihet, haxhi ne realitet është aksion dhe aktivitet i pandërprerë shpirtëror, i cili përmban ide të ndryshme të cilat janë mjaft nxitëse në aktivitetin progresiv dhe human të çdo besimtari, pse ai, sikur u përmend më lart, paraqet konsultim gjithë islam dhe simbolizon unitetin e plotë shpirtëror të të gjithë pjesëtarëve të besimit islam.

Institucioni i Kurbanit – kujdes për njeriun

Festa e Kurban Bajramit është festë me rëndësi të veçantë për arsye se në ditët e kësaj feste çdo besimtar i pasur sakrifikon një pjesë të pasurisë për hir të Allahut, sakrificë kjo që manifestohet nëpërmes prerjes së kurbaneve dhe në këtë mënyrë e gjithë kjo është ndër principet dhe vlerat më të larta etike të Islamit, për arsye se sipas Islamit nuk ka vepër të mirë, të madhe dhe të dobishme pa sakrificë të madhe. Ajo mund të manifestohet nëpërmjet formave të ndryshme, sikurse, në formë të sakrifikimit të pasurisë, në formë të largimit nga diçkaje si dhe nëpërmjet të vepruarit dhe të aktivizuarit fiziko-mendor. Islami, pra, duke pasur për qëllim formimin e individëve dhe bashkësisë së shëndoshë këtë princip të përgjithshëm etik e bëri bazë në jetën e çdo besimtari. Kështu që, përveç sakrificave mendore, fizike, etj., e bëri obligim sakrifikimin e një pjese të pasurisë për hir të Allahut, për arsye se, sipas mësimit Islam, ajo që është më e vlefshme dhe më humane nuk mund të arrihet pa u sakrifikuar ajo që është më e vlefshme dhe më e dashur. Ndër këto sakrifica është edhe institucioni i Kurbanit, i cili përbëhet nga prerja e kafshës së caktuar në emër të Allahut në kohë të caktuar.

Qëllimi dhe rëndësia kryesore e çdo dispozite islame është devotshmëria, gjegjësisht, pasurimi me vlera të larta, humanizimi dhe përsosshmëria e njeriut, kujdesi për njeriun qe ai të mos e humbë pozitën e dhuruar nga Allahu. Pra. edhe institucioni i Kurbanit ka rëndësi dhe vlerë të madhe në formimin e personalitetit të njeriut dhe bashkësisë.

Kurbani theret për hir të Allahut. Me këtë akt besimtari mundohet të arrijë shkallën më të lartë të përsoshmërisë, e cila në mësimin Islam quhet ”Et-tekva” që do të thotë: “devotshmëri”, “respekt i jashtëzakonshëm ndaj Allahut” “nënshtrim i plotë i urdhrave të Allahut“; që do të thotë se njeriu përmes Kurbanit vërteton qëllimin kryesor të jetës së tij, e ai qëllim është njohja e Krijuesit – Allahut dhe të jetuarit sipas urdhrave të Tij, ndërsa në anën tjetër vërteton se të gjitha të mirat materiale dhe begatitë e tjera nuk janë qëllim të jetës por vetëm mjete për të jetuar dhe njohur Allahun.

Në të njëjtën kohë, me anë të kurbanit besimtari e falënderon Allahun për të gjitha të mirat që ia ka dhënë Ai në shfrytëzim. Nga kjo del si përfundim se njeriu nuk punon për të ngrënë, por han për të jetuar.

Këtë më së miri e shohim nga rrëfimi Kur’anor mbi Ibrahimin (a.s.), i cili u urdhërua nga Krijuesi i vet, që për hir të Tij të sakrifikojë atë që është më e shtrenjtë, të birin – Ismailin, sakrificë të cilën, më në fund Allahu e zëvendësoi me një dash. Ja se si e përshkruan Kur’ani Famëlartë këtë ngjarje:

“O Zot, më dhuro pasardhës prej të mirëve! Dhe ne e gëzuam me një djalosh të mirë. Kur ai u rrit aq sa filloi të ecë me të në punë, Ibrahimi tha: O biri im, kam parë një ëndër se duhet të të ther! Pa shiko ç’mendon ti.” Ai iu përgjigj: O babai im! Ti vepro ashtu si të urdhërohet. Do të jem në dashtë Allahu prej durimtarëve.” Dhe kur ata të dy u dorëzuan edhe e shtriu atë me fytyrë në tokë, Ne thirëm: O Ibrahim ! Ti e realizove ëndrën. Ne kështu i shpërblejmë ata që bëjnë vepra të mira. Ajo ishte njëmend sprovë vërtetë e qartë, dhe e shpërblyem me një Kurban të madh.” (Saffat, 102-107)

Kjo sprovë e Ibrahimit (a.s.) ka qenë e pashembullt në historinë e gjinisë njerëzore. Gatishmëria e Ibrahimit të sakrifikojë gjënë më të shtrenjtë – djalin si dhe gatishmëria e Ismailit të sakrifikohet, është porosi e cila vërteton se jeta e çdo individi deri në fund duhet të jetë në përputhje me dëshirën dhe vullnetin e Allahut. Këtu qëndron mbështetja historike, kuptimi dhe domethënia e Kurbanit në Islam, me anë të cilit njeriu përsoset pandërprerë duke u çliruar nga egoizmi si dhe ndjenjat e tjera shtazarake

Kurbani, në të njëjtën kohë, është ngritje në shkallën më të lartë të përsosshmërisë shpirtërore, në shkallën më të lartë të vullnetit të vendosur i cili çliron nga çdo gjë që pengon vendosshmërinë e cila përgatit njeriun të sakrifikojë për atë që është e mirë dhe humane: mundin, kohën, pasurinë, e më në fund edhe vetveten, sikur që vepruan Ibrahimi dhe Ismaili (a.s.).

Porosia më kryesore e praktikës së Kurbanit është afirmimi dhe forcimi i elementit njerëzor në qenien e besimtarit, që do të thotë se Kurbani paraqet betejën mjaft të rëndësishme ne afirmimin e njeriut. Kur Ibrahimit (a.s.) në vend të djalit iu dhurua dashi për sakrificë në këtë moment filloi dhe vazhdoi procesi për çlirimin e njeriut, për dallimin e tij nga kafsha, gjegjësisht rivendosjen e tij në pozitën e caktuar nga ana e Allahut, e kjo do të thotë mbrojtja e dinjitetit të njeriut. Caktimi i dashit në vend të njeriut – Ismailit qartësoi se lufta më kryesore dhe më e rëndësishme është lufta për afirmimin e humanizmit njerëzor, gjegjësisht lufta për afirmimin e vlerave më të larta njerëzore, sepse njeriu është vepra më madhështore e Allahut.

Jemi dëshmitarë të kohës në të cilën jetojmë, ku njeriu ka arritur rezultate të mëdha dhe ka bërë hapa gjigantë në fushën shkencore, në mënyrë fantastike ka zbuluar dhe ka “pushtuar” natyrën, është ngritur në qiejt më të lartë, mirëpo në fushën tjetër e cila është shumë primare ka ngecur shumë prapa: ajo është kujdesi për njeriun dhe vlerat e larta humane. Është fakt se njeriu në fushën shkencore po përparon, mirëpo nga ana tjetër ka harruar vetveten, kështu që shkencat humane ende nuk janë në gjendje të definojnë njeriun dhe të japin zgjidhje për problemet e tij.

Kjo ndodhi për shkak se një pjesë e njerëzve kah gjysma e shekullit XIX e deri në kohën e fundit duke u mbështetur në të menduarit jo të shëndoshë mendoi se u bë i plotëfuqishëm dhe duke u larguar nga Zoti u mundua të imponojë mendimin se njeriu për ta siguruar ardhmërinë e tij duhet si e si t’i largohet fesë, për arsye se feja, gjegjësisht besimi në Zot është “rezultat i paditurisë”, “shprehje e varfërisë së vërtetë ose protestë kundër varfërisë së vërtetë “, ”opium i popullit”, “psherëtimë e krijesës së nënshtruar”, ”shpirt i botës pa zemër”, ”vetëdije ose vetëndjenjë e njeriut i cili vetveten ose nuk e ka gjetur ose e ka rihumbur”,”vetëdije e shkatëruar mbi botën”, “iluzion”, ”produkt i kushteve shoqërore”, etj. Për këtë arsye, njeriu, sipas tyre, duhet të jetojë pa Zot dhe jashtë ligjeve të Tij.

Pjesa tjetër e botës afirmoi idenë se Zoti duhet të besohet, por nuk ka nevojë të jetohet sipas urdhrave të Tij, sepse njeriu përmes zbulimeve që bën është në gjendje ta zgjedhë vetë jetën e vet, i lirë ngaqë i bën është në gjendje vetë ta zgjedhë jetën e vet, i lirë nga çdo përgjegjësi tjetër. Njeriu për të siguruar jetën e vet materiale u dha në aksion, aksion e cili e dërgoi në vetëharresë. Pasurimi material botën dhe njeriun e bëri çdo ditë edhe më tepër jo të sigurtë, kështu që sot njeriu modern është i barabartë me rekrutin, të cilin nuk e lënë të qetë, i cili është i detyruar që patjetër të bëjë diçka. Në këtë mënyrë kujdesi i njeriut të sotshëm është i drejtuar gjithmonë në atë që është e jashtme, sekondare, ndërsa për atë që është primare, njerëzore shumë pak ose aspak nuk mendon, për arsye se ai është bërë rob i interesave vetjake. Kjo ndodhi edhe për shkak se njeriu në vend të fesë – Zotit, si udhëheqës mori shkencën, e cila pa fe është e verbër, e çalë.

E gjithë kjo e solli botën në një pasiguri totale. Në atë pjesë ku botës iu imponua mosbesimi, në vend të Zotit të vërtetë u zgjodh zoti –njeri, ndërsa në pjesën tjetër u zgjodh për Zot epshi, interesi material i cili duhet të diktojë marrëdhënijet ndërmjet popujve në botë.

Prandaj nuk duhet të habitemi kur sot dëgjojmë dhe lexojmë, se në vendet më të zhvilluara ekonomikisht, me të madhe po përhapet alkoolizmi, narkomania, prostitucioni, sadizmi, mazogizmi, homoseksualizmi, lezbizmi, etj.

Në anën tjetër është zbehur kujdesi për njeriun ku me të madhe shkelet e nënçmohet nderi i tij. Miliona fëmijë, burra, gra vdesin nga uria. Po ashtu hasim në popuj të cilët nuk kanë të drejtë të jetojnë, nuk kanë të drejtë t’i gëzojnë të drejtat e tyre fetare, kombëtare, ekonomike, sociale, etj. Ndërsa bota tjetër “përparimtare” dhe e “zhvilluar” sot i jep vetes të drejtë që nën thundrat e tyre të mbajnë gjysmën e botës duke prekur në të drejtat dhe nderin e tyre. Çdo ditë më shumë po dëgjojmë, krime të tmershme, vrasje me të cilat bota më është mësuar dhe i janë bërë shprehi. Sot në botën “përparimtare” vdekja është bërë shprehi – pjesë harxhuese. Vrasja është bërë aksion. E gjithë kjo na tregon se kujdesi për njeriun plotësisht ka rënë. E gjithë kjo është rezultat i largimit të njeriut nga Zoti si dhe nga të jetuarit sipas urdhrave të Tij.

Njeriu njëherë e përgjithmonë duhet ta kuptojë se është krijesa më madhështore e Allahut dhe se thellë brenda tij është rrënjosur nevoja për të besuar, dhe për këtë kjo nevojë duhet të zhvillohet me qëllim të lumturisë së njerëzimit në këtë dhe botën tjetër. Feja është ajo që i kënaq nevojat individuale dhe kolektive, për arsye se, siç thotë Emile Dyrkemi, ”shkenca është fragmentare dhe jo komplete; ajo përparon, mirëpo ngadalë dhe asnjëherë nuk kryhet; mirëpo jeta nuk pret. Shkenca është shpjegim shkencor i sendeve, ndërsa feja është ajo që çdo gjëje i jep vlerë dhe qëllim”.

Sa më tepër që i kthehemi Zotit-fesë aq më tepër do ta çmojmë vetveten dhe njeriun dhe aq më tepër do ta ndjejmë nevojën për kujdesin ndaj njeriut, për arsye se çdo princip apo urdhër fetar është zbritur vetëm për shkak të njeriut, që ai në to të gjejë vetveten dhe të jetojë i lumtur në këtë dhe botën tjetër.

Pra, edhe institucioni i Kurbanit si praktikë fetare ka rëndësi të madhe për jetën e njeriut. Përveç që është praktikë adhurimore, ai ka rëndësi të madhe edhe për nga aspekti social, ku përsëri vjen në shprehje kujdesi për njeriun, që do të thotë se mishi i Kurbanit duhet të jepet tek ata të cilët janë të varfër. Muhamedi (a.s.) porosiste që mishi i Kurbanit të ndahet në tri pjesë: një pjesë t’u jepet të varfërve, një pjesë të afërmve, fqinjëve dhe miqve, ndërsa pjesa e tretë të mbahet për vete. Vetë ai mishin e Kurbanit ia ndante të varfërve dhe u thoshte: “Kujt i duhet le të presë aq sa dëshiron!”

Njëherë Muhamedi a.s. duke ukthyer në shtëpi e pyeti Aishen r.a se çka u bë me delen e prerë, ajo i tha: “Të gjithën e kemi ndarë përveç shpatullës!” Pejgamberi (a.s.) i tha: ”Jo, e gjitha ka mbetur përveç shpatullës”.

(Revista Drita Islame, Tetor 2012)