Rëndësia e kujdesit të nënës në rritjen e fëmijës

Pothuajse të gjitha kafshët në tokë e fillojnë jetën e tyre të pavarur, pa pasur nevojë për të mësuar apo për t’u edukuar nga prindërit e tyre. Çdo lloj njohurie apo aftësie e duhur për të përballuar jetën e kanë tashmë të gatshme në atë që shkenca moderne e quan gabimisht “instikt” ose siç do ta quajmë ne, një “frymëzim Hyjnor”. Sidoqoftë, njeriu është shumë i ndryshëm nga kafshët si nga ky aspekt ashtu edhe në aspekte të tjera. Njeriu vjen në botë duke qenë i paditur dhe i paaftë për gjithçka, por me një aftësi të jashtëzakonshme për të përvetësuar, kështu që atij i duhet të mësojë dhe të edukohet. Sa më cilësor, plotësues dhe gjithëpërfshirës të jetë edukimi për nevojat intelektuale, materiale dhe shpirtërore të tij, aq më i mirë do të formësohet karakteri i tij.

Ndër të gjitha gjallesat, njeriu kërkon kohën më të gjatë për t’u rritur fizikisht dhe për t’u edukuar. Megjithëse shumica e sistemeve ligjore e kanë përcaktuar moshën e pjekurisë në 18 vjeç, mund të themi se, me përjashtime të rralla, një person nuk e ka arritur moshën e pjekurisë deri në 30 vjeç. Pothuajse çdo njeri, qoftë edhe gjeni, ka nevojë të këshillohet me persona të tjerë përpara se të marrë një vendim me rëndësi. Përveç kësaj, çdo njeri është i rrezikuar nga gabimet dhe për këtë është në nevojë të vazhdueshme për korrigjim të vetvetes. Kjo për arsyen se ai është qenie sociale e detyruar të jetojë në bashkësi me njerëz të tjerë dhe të krijojë marrëdhënie me ta. Shkolla e parë ku ai merr mësim dhe edukim është familja.

Veçanërisht në fëmijëri, njeriu ka nevojë më shumë se kurrë për kujdes dhe dashuri. Ngrohtësia e mjedisit familjar është thelbësore që një njeri të bëhet anëtar i edukuar, i sjellshëm, i dashur dhe i dobishëm për shoqërinë. Në këtë mjedis, nëna ka vendin kryesor. Nëna është ajo që e ushqen fëmijën e porsalindur me qumështin e saj. Por, më shumë se qumështi, dashuria, dhembshuria dhe kujdesi i nënës për fëmijën janë shumë më të rëndësishëm për zhvillimin e personalitetit dhe karakterit të tij.

Foshnja ka nevojën më të madhe për kujdesin dhe vëmendjen e drejtpërdrejtë të nënës veçanërisht në periudhën simbiotike. Edhe në çerdhet apo kopshtet më profesionale, foshnja nuk mund të gjejë kurrsesi një dashuri dhe përkujdesje si ajo e nënës së tij. Ndërkohë që në shtëpi fëmija është i rrethuar me dashuri nga nëna dhe të gjithë pjesëtarët e familjes, në kopsht ai duhet të marrë kujdes nga një person i huaj i cili, sado profesionist të jetë, duhet të kujdeset njëkohësisht edhe për 10 ose15 fëmijë të tjerë. Pra kuptohet se ambienti familjar ku fëmija është në qendër të vëmendjes, duke u përkëdhelur në prehrin e dashurisë së nënës, është shumë ndryshe nga kopshti, një ambient i huaj ku të gjitha këto mungojnë.

12 muajt e parë të marrëdhënies ndërmjet nënës dhe foshnjes quhet periudha simbiotike, gjatë së cilës foshnja ndjen një lidhje të thellë me nënën. Në të vërtetë, në 6 muajt e parë të jetës foshnja nuk arrin ta dallojë nënën si një qenie të ndarë nga ajo. Gjatë vitit të parë të jetës, dashuria e nënës formon bazat e personalitetit shpirtëror të fëmijës dhe zhvillon tek ai ndjenjën e vetëbesimit. Dashuria e nënës është gjithashtu e rëndësishme në zhvillimin e inteligjencës së fëmijës dhe aftësisë së tij për t’u rritur si një qenie sociale. Ndarja afatgjatë apo afatshkurtër nga nëna i jep shkas ankthit dhe depresionit tek fëmija.

Dr. R. Spitz, një psikiatër i kohëve moderne, përkufizoi dy sindroma në fëmijët që ishin rritur pa praninë e mjaftueshme të dashurisë së nënës. Një nga këto sindroma, e quajtur depresioni anaklitik vinte si pasojë e ndarjes afatshkurtër të foshnjës nga nëna pas moshës 6 muajsh. Kjo ndodhte rëndom kur fëmija dërgohet në çerdhe. Foshnja, fillimisht, si pasojë e ndarjes nga nëna, reagon me të qara të forta dhe të zgjatura. Nëse dikush afrohet tek ajo pasi është qetësuar, e qara fillon përsëri. Pas këtij reagimi fillestar, foshnja pushon së qari dhe në fytyrë mund të dallohen qartë shenjat e lodhjes dhe dëshpërimit. Dr. Spitz e quajti këtë periudha e protestimit: ku foshnja fillon të hajë më pak, të bjerë në peshë dhe të dobësohet fizikisht. Këto shenja mund të shoqërohen edhe me të vjella dhe diarre.
Periudha e protestimit, e cila zgjat zakonisht 2 ose 3 javë, ndiqet nga një periudhë depresioni ku fëmija është i zymtë dhe i trishtuar. Pas dy muajsh këto reagime emocionale bëhen më të rralla. Foshnja tashmë është i painteresuar për ambientin përreth dhe për personat që i afrohen. Shkurt ai mbyllet në vetvete.

Kuptimi i këtyre fazave reaguese është lehtësisht i shpjegueshëm. Foshnja në fillim, si pasojë e ndarjes nga nëna përgjigjet me të qara të forta për ta kthyer atë tek vetja. Pasi ajo nuk i përgjigjet ai pikëllohet. Më pas, kur shpresa për t’u ribashkuar me nënën zhduket, ai vuan dhe mbyllet në vetvete.

Nëse ndarja nuk i kalon 3 muaj, atëherë foshnja mund ta rimarrë veten dhe të kthehet në gjendjen e mëparshme. Por, nëse ndarja është më e madhe, foshnja asnjëherë nuk e rimerr veten plotësisht dhe zhvillon depresionin e ndarjes.

Ky lloj depresioni haset te foshnjat e ndara nga nëna shumë herët pas lindjes dhe ata të mbajtur në çerdhe ose në kopsht për kohë të gjatë. Ai karakterizohet nga një zhvillim i vonuar dhe i mangët fizik, intelektual dhe shpirtëror si dhe personalitet jo social.
Fëmijët e ndarë nga familja në vitet e parë të jetës për t’u dërguar në çerdhe apo kopsht, më vonë gjatë procesit jetësor hasin vështirësi të mëdha në përshtatjen me ambiente dhe situata të reja dhe reagojnë me vonesë ndaj stimujve të ndryshëm. Ata zhvillojnë tike ose lëvizje të tjera të pavullnetshme si tundje e këmbëve ndërsa qëndrojnë ulur, shkulje e flokëve, goditje të murit me kokë, luajnë me llapat e veshit dhe tundje e kokës. Një sjellje e tillë nga fëmija i lënë vetëm është një përpjekje për të kompensuar vetminë dhe braktisjen që ai ndjen. Për më tepër, tek disa fëmijë mund të gjenden shenja prapambetjeje mendore. Studimet kanë treguar se edhe në fëmijë të ushqyer mirë dhe me cilësi, shkalla e prekshmërisë ndaj sëmundjeve dhe vdekjeve është më e lartë. Krahasuar me moshatarët e tyre, ata janë më të dobët dhe më të shkurtër fizikisht. Megjithëse të etur për dashuri, ata përgjigjen me dyshim dhe indiferencë ndaj dashurisë apo afrimitetit të shfaqur ndaj tyre.

Disa nga këta fëmijë të privuar në këtë mënyrë rriten dhe zhvillojnë një ndjenjë mungese vetëbesimi, bëhen të turpshëm, të rezervuar dhe pasiv ndërsa të tjerë bëhen agresivë. Ata shfaqin shenja të një sjelljeje pa edukatë, janë mendjengushtë dhe bëjnë mungesa të pajustifikuara në shkollë. Një pjesë prej tyre janë të predispozuar për sjellje kriminale, të dhunshme si dhe mund të ketë nga ata që tentojnë vetëvrasjen. Studime të bëra me persona kriminelë apo të sëmurë mendorë kanë treguar se shumica e tyre e kishin kaluar një fëmijëri të vetmuar, të ndarë nga familja dhe të privuar nga dashuria prindërore.
Për fat të keq, dobësia e karakterit dhe deformimet e personalitetit që lindin si pasojë e ndarjes afatgjatë nga nëna, janë pothuajse të parikthyeshme. Sa më i vogël të jetë fëmija që dërgohet në çerdhe dhe sa më gjatë të qëndrojë atje, aq më të rënda janë efektet negative.
Si përmbledhje: dashuria dhe kujdesi që nëna shfaq ndaj foshnjës së saj është shumë e rëndësishme për zhvillimin fizik, edukimin dhe karakterin e fëmijës dhe asgjë nuk mund të kompensojë mungesën e saj. Simptomat e vëzhguara në fëmijë të rritur larg familjes janë vënë re edhe tek fëmijët e adoptuar. Këta fëmijë nuk përshtaten lehtë me familjen e re dhe kurrë nuk kanë të njëjtën përqasje me nënën adoptuese si me nënën biologjike. Gjendja e fëmijëve të familjeve të divorcuara lë akoma më shumë për të dëshiruar.

Nga: Dr. Osman Kucukmehmedoglu

Përktheu: Erion Sukaj

/Revista Drita Islame, Dhjetor 2012/

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *