Sekreti i një lumturie bashkëshortore 40 vjeçare

Nga: Aisa Kokiçi

Jeni të dashuruar pas bashkëshortes por mos vallë përjetoni diskutime të mëdha pas një fjale të parëndësishme? Mendoni se keni ardhur në fund të martesës së thurur me mijëra ëndrra? Akoma keni mundësinë të kapni lumturinë e një lidhjeje e cila zgjat të paktën 40 vjet… tregoni dhembshuri, dashuri ndaj bashkëshortit/tes , bëjeni ta ndjejë dashurinë tuaj, mbroni këtë mënyrë dhe dëgjojeni atë…. pastaj mos thoni ‘unë’ por ‘ne’….

Një studim i realizuar mbi çiftet të cilat kishin një martesë të lumtur dhe të gjatë tregoi se burimi i lumturisë është dhembshuria dhe dashuria-respekti reciprok. Sipas studimit ndërkohë që çrregullimet në mënyrën e trajtimit shkurtojnë jetën e martesës dashuria dhe dhembshuria përbëjnë gurët themelorë të një martese të lumtur.

Mosfokusimi në gjërat themelore dhe telefonatat e vazhdueshme të femrave në një trajtë hetuese dhe të shoqëruara me pyetje si ‘ku je ?’ ‘çfarë bën ?’ ‘me kë je ?’ luajnë një rol të rëndësishëm në diskutim. Nga ana tjetër moszhvillimi i një bisede me gruan, përdorimi i fjalive në trajtë urdhërore si ‘më bëj një kafe’, ‘mbyllja gojën fëmijës’ e të tjera, i hapin rrugë grindjeve. Baza e familjeve të shëndosha krahas vlerave fetare dhe morale përbëhet nga pranimi, komunikimi, dëgjimi, gjuha spitiruale.

Psikologu Ridvan Oruc e ka përmbledhur studimin e tij në një libër të titulluar “Të paktën 40 vjet në një jastëk”. Në fund të reportazhit të zhvilluar me 16 çifte të cilat kishin të paktën 40 vjet martesë, Oruc arriti në përfundimin se shkaku themelor i mosmarrëveshjeve mes bashkëshortëve janë dobësitë njerëzore. Duke pohuar se ekzistojnë ndryshime të dukshme në mes nevojave shpirtërore dhe karakterit njerëzot Oruç thekson se meshkujt preferojnë të bëjnë një bisedë raportimi ndërsa femrat pëlqejnë të bëjnë biseda të formës miqësore. Në të dy llojet e bisedave qëllimet janë të ndryshme. Ndërkohë që femrat kërkojnë të komunikojnë dhe zhvillojnë marrëdhënien, meshkujt fokusohen në eliminimin e problemeve dhe zgjidhjen e tyre. Kjo është dhe arsyeja pse femrat flasin më shumë. Qëllimi i tyre është të thurin miqësi por miqësitë nuk thuren aq kollaj. Gjatës kohës së bisedës femrat nuk presin zgjidhje por vetëm empati dhe të dëgjohen.

Një nga investimet më të mira që mund të bëjë një mashkull në martesën e tij është kualifikimi i tij në çështjen e dëgjimit të bashkëshortes. “Meshkujt janë shumë të ndjeshëm ndaj kritikave apo fjalëve të marra si kritikë. Nëse gruaja sugjeron diçka pa dëshirën e burrit atëherë kjo zgjon ndjenjë e dobësisë dhe paaftësisë. Një grua e cila zgjon ndjenjën e paaftësisë tek burri i saj do të thotë se nuk e kupton atë. Nëse gruaja arrin t’i japë siguri, besim burrit të saj, e bën të ndihet mirë atë atëherë mund të themi se ka vendosur gurin më të rëndësishëm në krijimin e një familjeje të suksesshme” shprehet Oruc. Energjinë e harxhuar në plotësimin e dëshirave apo përpjekjeve për t’u aprovuar çiftet duhet ta harxhojnë në zhvillimin e njëri-tjetrit. Të përdorësh energjinë tënde në mbështetjen e zhvillimit të bashkëshortit/tes është zgjedhja më e mirë për një martesë të lumtur. Përpiquni të gjeni lumturinë dhe jo drejtësinë. Bashkëshortët duhet të aprovojnë, mbështesin, respektojnë sjelljet e njëri-tjetrit.

Gabimet e femrave

T’i telefonojë shpesh burrit dhe t’i drejtojë pyetje si ‘ku je ?’, ‘çfarë bën ?’, ‘a më do ?’. T’i telefonojë menjëherë familjes së saj pas një diskutimi me burrin. Përdorimi i dhomës së gjumit si një mjet dënimi. Të ndërhyjë në rrethin social të bashkëshortit duke i thënë ‘takohu me këtë e mos fol me këtë’. Të kërkojë përkujdesjen e fëmijëve sapo burri hyn në shtëpi me një ton të lodhur duke përdorur fjalë si ‘merri këta fëmijë se më lodhën’. Kritikimi i familjes së burrit gjatë bisedës, përkujtimi i vazhdueshëm i së shkuarës.

Gabimet e meshkujve

Të drejtojë shikimin në një anë tjetër kur flet bashkëshortja. Të përdorë fjalë urdhërore ‘më jep këtë e bëj atë’. Mosformimi i fjalive motivuese dhe nënvlerësimi i bashkëshortes në rrethin shoqëror me fjalë si ‘ajo nuk di gjë’. Marrja e kartës së kreditit. Vlerësimi i nevojave shtëpiake si një harxhim i tepërt. Të mos e ndihmojë në punët e shtëpisë dhe xhelozia e tepërt.

Ja hapat e lumturisë

Shpreheni shpesh dashurinë tuaj ndaj bashkëshortit/tes dhe bëheni të ndihet i vlefshëm për ju. Merrini dhurata të veçanta. Qëndrojini pranë kur ka nevojë për një mik. Gjeni gjithmonë kohë për bashkëshortin/ten tuaj. Kujtoni ditët e veçanta të kaluara bashkë. Dëgjojeni atë kur flet. Flisni sinqerisht me të. Përpiquni të zbuloni anët e mira të tij. Dëgjojeni tek flet për problemet e hallet që ka. Kurrë mos u nervozoni të dy përnjëherësh. Mos ia thyeni zemrën njëri–tjetrit për shkak të gjërave të parëndësishme. Nëse keni ndonjë kritikë bëjeni duke ia shprehur dhe dashurinë tuaj. Mos i rikujtoni gabimet e së kaluarës. Mos e mbyllni ditën tuaj pa i thënë diçka të bukur bashkëshortes tuaj. Buzëqeshini njëri-tjetrit me dashuri e dhembshuri kur takoheni. Mos e përfundoni ditën pa i zgjidhur problemet. Kërkoni falje nga bashkëshorti/tja kur bëni ndonjë gabim dhe flisni me të. Mos ia ngarkoni të gjitha përgjegjësitë bashkëshortit/tes për shqetësimet tuaja. Lërini problemet e punës aty ku janë dhe mos i mbartni në shtëpi. Mos ia pasqyroni palës përballë stresin e një dite të lodhshme pune.

(Revista Drita Islame, Shtator 2012)