Si të trajtojmë xhelozinë mes fëmijëve

Xhelozia ndaj vëllait apo motrës së porsalindur është një proces normal për çdo fëmijë. Me lindjen e vëllait apo motrës, fëmija mendon se do të humbasë çdo gjë që ka dhe nuk do të duhet nga prindërit. Ndërkohë që disa fëmijë e shprehin qartë xhelozinë për më të vegjlit, disa të tjerë mund të interesohen dhe përkujdesen shumë për të porsalindurin, në mënyrë që të fitojnë kështu simpatinë e prindërve. Tek disa fëmijë mund të shfaqen sjellje të fituara pas lindjes së fëmijës së dytë si lagia natën apo thithja e gishtit. Specialistët mendojnë se këto sjellje lidhen ne mënyrë direkte me përpjekjen e fëmijës në fitimin e interesit të humbur të nënës dhe babait. Mjekët pohojnë se prindërit duhet të qëndrojnë larg përdorimit të fjalive si “tani ti je vëllai i madh” apo “ti je motra e madhe”. E rëndësishme është të krijohen ambiente të përshtatshme të afrimit të dy fëmijëve në rast të shfaqjes së xhelozisë. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë se edhe ai, ajo është një fëmijë. Gabimi më i vogël i prindërve të cilët nuk duhet të përdorin fjalë shumë lavdëruese dhe krahasuese mund të bëhet shkak i një xhelozie afatgjatë e cila zgjat për gjithë jetën. Nëse gjendja e fëmijës përkeqësohet atëherë duhet të flasim me një psikolog. Nuk duhet harruar se xhelozia është krejt e natyrshme dhe i mëson shumë gjëra fëmijës më të madh. Mësohet të ndajë gjërat me të tjerët. Fëmija më i rritur e mëson tashme se jo çdo gjë sillet rreth tij dhe kështu maturohet. Psikologët analizojnë marrëdhënien mes bashkëshortëve, gjendjen e nënës, nëse është e stresuar apo jo tek familjet që përballen me një problem të tille. Nëse problemi ekziston mes bashkëshortëve, atëherë situata e tensionuar mund të reflektohet negativisht tek fëmijët dhe kështu prindërit ndihen të dobët në zgjidhjen e problemit. Nëse marrëdhënia mes prindërve nuk ka probleme atëherë edhe marrëdhënia mes fëmijëve do te jetë më e mirë, e butë dhe pa probleme.

/A. Kokiçi/