“Studenti dhe profesioni”, Studentët e Komunikimit takojnë diplomatin shqiptar të USAID-it

Diplomati amerikan me origjinë shqiptare, z.Gëzim Hysenagolli ka qenë i ftuari i parë i ciklit të leksioneve “Studenti dhe profesioni”, të organizuar nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Shkollës së Lartë “Hëna e Plotë” (Bedër). I angazhuar në misionin e USAID në Afrikën e Jugut, z.Hysenagolli shpjegoi angazhimin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dhënë ndihmën e popullit amerikan për zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërive të tjera. Sipas tij, ajo çka mundëson programi i USAID-it lidhet me fusha të ndryshme si shëndetësia, arsimi, të drejtat e njeriut etj.

Gjatë fjalës së tij, z.Hysenagolli theksoi faktin se ndihma synon që t’i mësojë shoqëritë e vendeve ku është angazhuar USAID që të funksionojnë duke mos patur në të ardhmen më nevojë për mbështjetjen e programit. Duke e ilustruar edhe me një fabul, z.Hysenagolli tha se “Më shumë se t’i japim nga një peshk çdo ditë, ne përpiqemi që segmentet e shoqërisë në të cilat angazhohemi t’i mësojmë se si të peshkojnë. Lidhur me këtë, më lejoni të theksoj se në vendin ku unë shërbej, në shtetin e Malauit, një numër i konsiderueshëm studentësh shkojnë për të studiuar në SHBA dhe më pas rikthehen aty për të ofruar kontributin e tyre”.

Takimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi, ku studentët u njohën me filozofinë me të cilën ndihma e SHBA-ve aplikohet në terren, përzgjedhjen e targetit se ku do të ofrohet mbështetja, transparencën në përdorimin e fondeve etj.

z.Gëzim Hysenagolli është diplomat me kombësi shqiptare dhe shtetësi amerikane, i angazhuar në kuadër të USAID-it në Afrikë të Jugut duke qenë përgjegjës për shtetin e Malau-it.

Shtuar më 11/10/2012