Tre muajt, periudhë e begatë e kohës

1-Me rastin e hyrjes së tre muajëve të begatë të kalendarit Islam, Rexheb,Shaban dhe Ramazan, Medreseja e Tiranës, H. Mahmud Dashi, organizoi një aktivitet për tu informuar mbi veçoritë dhe begatinë e kohës në këtë periudhë kohore. Drejtori i shkollës, z. Ali Zaimi, uroi stafin dhe nxënësit që ti vlerësojnë sa më bukur këto begati shpirtërore duke i konsideruar si një mundësi për të rinovuar veten pozitivisht. “Allahu e do njeriun, prandaj kohë, vende, vepra e adhurime të caktuara i bën preteks që ti dhurojë njeriut më shumë dashuri, më shumë mëshirë e më shumë mirësi,” vijoi ai. I ftuar i veçantë në këtë program ishte nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu. Z. Spahiu në fjalën e tij nënvizoi faktin se koha dhe vendi, të gjithë vlerën dhe shenjtërinë e tyre e marrin sepse ashtu dëshiron Allahu. “Allahu këtyre muajve u ka dhënë një begati më të madhe sesa muajve të tjerë, përsa i përket vlerësimit të adhurimit të bërë në to. Kësisoj muaji Rexheb cilësohet si muaji i mbjelljes, muaji Shaban si muaji i ujitjes dhe muaji i Ramazanit si muaji i korrjes apo mbledhjes së prodhimeve. Njeriu korr ç’ka mbjell, merr barazvlerësen e asaj që ka bërë,” tha ndër të tjera nënkryetari i KMSH’së. Z. Spahiu njëkohësisht vlerësoi Medresenë si një institucion model në fushën e arsimit dhe të edukimit.

2-Ishin vajzat e Medresesë së Tiranës, H. Mahmud Dashi, që u mblodhën me rastin e hyrjes së tre muajëve të begatë të kalendarit Islam, Rexheb, Shaban dhe Ramazan. I ftuar i veçantë në program ishte z. Veton Tulla, pedagog në Kolegjin Universitar BEDER. Z. Tulla në fjalën e tij nënvizoi favoret e mëdha që Allahu na bën për të na afruar me Të. Ai ndër të tjera përmendi një sërë adhurimesh si namazi, agjërimi, duaja dhe dhikri, të cilat duhet të gjejnë një vend akoma më shumë në jetën tonë të përditëshme, sidomos këto tre muaj kur, vlerësohen me më shumë sevape. Njëkohësisht ai vlerësoi përpjekjet pozitive të nxënësve të Medresesë, në përçimin e një fryme plot vlera e optimizëm në shoqëri. Ndërkohë, drejtori i shkollës, z. Ali Zaimi, inkurajoi nxënëset duke u shprehur: “Ti shikojmë këto kohë si moment reflektimi për të dizenjuar jetën drejt kënaqësisë së Zotit, e të bëhemi njerëz më të mirë, më të vlefshëm e më të suksesshëm në të gjitha sfidat e jetës, e të Ahiretit, për tu përballur përtej me mirësitë e pafundme që Zoti ka përgatitur për ne.”

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *