Vendosen urat e bashkëpunimit me Universitetin e Stambollit

Një përfaqësi e Departamentit të Shkencave të Komunikimit, e kryesuar nga zv.përgjegjësi i deparamentit z.Ramadan Çipuri ka zhvilluar një vizitë në Fakultetin e Komunikimit të Universitetit të Stambollit, në Stamboll, Turqi. Ata u pritën nga Dekani i Fakultetit Prof.Dr.Aydemir Okay dhe Zv.Dekania Prof.As.Dr.Gylin Terek Ynal.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit midis dy institucioneve. Z.Çipuri teksa prezantoi misionin dhe politikat institucionale të universitetit që përfaqësonte, shprehu gatishmërinë  e Universitetit Hëna e Plotë-Bedër për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme si projekte të përbashkëta kërkimore, shkëmbim studentësh dhe stafi akademik etj.

Nga ana e tij, z.Okay vlerësoi këto nisma si mjaft të rëndësishme, duke u shprehur se fakulteti që ai drejton, pjesë e njërit prej universiteteve më të vjetër në Evropë është i gatshëm të vendos ura bashkëpunimi më Universitetin Hëna e Plotë-Bedër. Sipas tij, Tirana është kryeqytet i një vendi mik, ku shumë të rinj turq do të kishin dëshirë të studionin.

Më pas, përfaqësia e Universitetit Hëna e Plotë-Bedër vizitoi ambientet e fakultetit, ku u njohën nga afër me ateliet dhe studio e ndryshme, si dhe zhvilluan një takim me studentë të punësuar pranë Agjensisë së Lajmeve të Universitetit të Stambollit.

Në këtë përfaqësi, përkrah z.Çipuri morën pjesë edhe anëtarë të stafit akademik të departamentit të Shkencave të Komunikimit si Prof.Dr.Briseida Mema, Prof.Dr.Dhurata Shehri, Prof.As.Dr.Mark Marku, Prof.As.Dr.Gentiana Skura, Prof.As.Dr.Bashkim Gjergji, z.Alban Tartari dhe z.Erlis Çela.

Shtuar më 14/12/2012