Vlerat e agjërimit dhe specifikat e muajit Ramazan

Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Çdo vepër e mirë që kryen i biri i Ademit shumëfishohet nga dhjetëfish deri në shtatëqindfish. Allahu i Lartësuar thotë: Përveç agjërimit, ai është për Mua dhe vetëm Unë e jap shpërblimin për të. Ngase ai që agjëron është privuar nga dëshirat dhe ushqimi vetëm për Mua. Agjëruesi ka dy gëzime: Gëzimi i parë kur e çel agjërimin dhe gëzimi i dytë kur të takohet me Zotin. Era e gojës së agjëruesit tek Allahu sesa era e miskut.”[1]

 

Shpjegimi i hadithit

Ky hadith flet për vlerën e agjërimit dhe pozitën e lartë që ky adhurim ka tek Allahu i Lartësuar. Ky hadith flet për katër vlera të agjërimit që janë të shumta.

Vlera e Parë: Shpërblimi i agjëruesve është i pakufishëm. Të gjithë veprat e mira që kryen njeriu shpërblehen nga dhjetëfish deri në shtatëqindfish, përveç agjërimit, i cili nuk ka këtë lloj shpërblimi. Shumëfishimi është shumë herë më i madh dhe vetëm Allahu shpërblen për të. Në të vërtetë agjërimi është pjesë e durimit, ndërkohë që Allahu i Lartësuar në lidhje me durimin ka thënë: “Me të vërtetë shpërblimi i durimtarëve është i pakufishëm.”[2] Në komentimin e këtij ajeti imam El Euzai ka thënë: “I pakufishëm do të thotë se për shpërblimin e durimit nuk ka peshore…”

Vlera e Dytë: Allahu i Lartësuar agjërimin e ka konsideruar të Vetin, ndërkohë që asnjë vepër tjetër të mirë nuk e ka konsideruar kështu. Nuk ka mirësi më të madhe se sa kjo gjë. E gjitha kjo mirësi, ngase agjëruesi përgjatë gjithë ditës privohet nga dëshirat e tij vetëm për hir të Allahut. Agjërimi gjatë ditës ka shumë vështirësi, sidomos gjatë ditëve të gjata e të nxehta të verës. Privimi nga dëshirat për hir të Allahut është adhurimi i kërkuar, për të cilin njeriu shpërblehet. Njeriu shpërblehet ngase agjërimi është çështje fshehtësie ndërmjet njeriut dhe Allahut, që askush përveç Allahut nuk e di nëse njeriu agjëron apo jo.

Vlera e Tretë: Agjëruesi lumturohet dhe gëzohet në ditën që do të takohet me Allahun, pasi në atë ditë ai do marrë shpërblimin e merituar.

Gëzimi tjetër në vaktin e çeljes së Iftarit, për shkak se adhurimi i tij tashmë ka përfunduar me sukses; ka përfunduar me adhurim dhe larg mëkateve e gjynaheve. Ky gëzim është më se normal. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Me mirësinë dhe mëshirën e Allahut, vetëm me këto le të gëzohen. Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.”[3]

Vlera e Katërt: Era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu se era e miskut dhe parfumit. Kjo e mirë do të ndodhë në Ditën e Gjykimit, në ditën në të cilën agjëruesit do të shikojnë shpërblimin e veprës së tyre të mirë. Prandaj, në një transmetim tjetër Profeti (a.s.) thotë: “Është më e mirë tek Allahu në Ditën e Gjykimit.”[4]

Kjo mirësi gjithashtu ka vlerë edhe në këtë botë, ngase ajo vjen si rrjedhojë e kryerjes së një adhurimi, ashtu siç mund të lexojmë në një transmetim tjetër: “Era e gojës së agjëruesit që vjen nga braktisja e ushqimit është më e mirë tek Allahu se era e miskut.”[5] Era e gojës së agjëruesit, megjithëse tek njerëzit është e papëlqyeshme, ajo tek Allahu është më e mirë se era e miskut, sepse ajo buron nga një adhurim madhështor që është agjërimi. Imam Ibnu Hibani thotë: “Slogani i besimtarëve në Ditën e Gjykimit janë shenjat e marrjes së abdesit që kanë marrë në dynja. Ky do jetë dallimi ndërmjet tyre dhe popujve të tjerë. Slogani i besimtarëve në Ditën e Gjykimit do të jetë era e gojës së tyre që është më e mirë tek Allahu se era e miskut. Në atë Ditë ata do të njihen në mesin e atij grumbulli të madh njerëzish vetëm nëpërmjet këtij adhurimi. E lusim Allahun që të na dhurojë të mirën e asaj dite.”

Një vlerë tjetër e agjërimit është fakti se Allahu i Lartësuar për agjëruesit ka përgatitur një derë të veçantë për të hyrë në Xhenet, vetëm ata dhe askush tjetër. Profeti (a.s.) thotë: “Në Xhenet ka një derë që quhet Er Rejan. Në Ditën e Gjykimit tek ajo derë do të hyjnë vetëm agjëruesit dhe askush tjetër përveç tyre. Kur nga ajo derë do të hyjnë të gjithë, ajo do të mbyllet dhe askush tjetër nuk do të hyjë nga ajo. Ai i cili do të hyjë do të pijë nga pija e Xhenetit dhe asnjëherë nuk ka për të ndjerë etje.”[6]

Që agjëruesi të përfitojë nga këto vlera duhet që të jetë i sinqertë në adhurimin e tij. Ai duhet të agjërojë duke braktisur ushqimin, pijen dhe marrëdhëniet intime. Duhet të braktisë ato shikime, dëgjime dhe riskun që janë të ndaluara. Pra edhe shqisat e tij agjërojnë nga mëkatet; gjuha nga gënjeshtra dhe fjalët e pahijshme e të rreme. Nuk ka dyshim se ky lloj agjërimi ka shpërblim mjaft të madh. Profeti (a.s.) thotë: “Ai i cili nuk e braktis fjalën e rreme dhe të punuarit me të, Allahu nuk ka nevojë që ai të braktisë ushqimin dhe pijen.”[7]

Specifikat e Ramazanit

Ebu Hurejre (r.a.) trasnmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur vjen muaji i Ramazanit hapen portat e Xhenetit, mbyllen portat e Xhehenemit dhe shejtanët prangosen.”[8]

Shpjegimi i hadithit

Ky hadith profetik flet për vlerën dhe rëndësinë e muajit të Ramazanit. Këtë muaj Allahu i Lartësuar e ka vlerësuar dhe dalluar nga muajt e tjerë. Këtij muaji Allahu i Lartësuar i ka dhënë disa veçori dhe specifika që nuk e kanë muajt e tjerë, duke e nxitur njeriun që të bëjë sa më shumë vepra të mira.

Në këtë muaj të begatë hapen portat e Xhenetit dhe mbyllen portat e Zjarrit të Xhehenemit, sepse në këtë muaj ka shumë mirësi, njeriu mundohet të afrohet më shumë tek Allahu për të fituar faljen dhe kënaqësinë e tij dhe në të njëjtën kohë e keqja pakësohet. Në këtë muaj shejtanët prangosen me pranga, ngase besimtarët janë të zënë me agjërim, leximin e Kur’anit, përmendjen e Allahut, veprojnë vetëm vepra të mira dhe flasin vetëm fjalë të mira. Një dijetar ka thënë: “Portat e Xhenetit hapen që shpresa të jetë më e madhe dhe që durimtari të jetë më i përmalluar për Xhenetin. Portat e Xhehenemit mbyllen që mëkatet të jetë sa më të minimizuara dhe që veprat e mira qëndrojnë përpara veprave të këqia si një digë e pakalueshme.”

Është e vërtetë që shejtanët e prangosur shkaktojnë dëme dhe nxisin për keq, por e keqja e tyre është shumë herë më e pakët dhe më e vogël në krahasim me muajt e tjerë. Ai i cili agjëron duke ju përmbajtur kushteve dhe rregullave të agjërimit, agjërimi i tij është i plotë dhe e ka shmangur shejtanin nga vetja e tij. Prangosja e shejtanëve nuk do të thotë se e keqja nuk ekziston dhe se njeriu nuk kryen mëkate, sepse përveç shejtanëve të cilët e nxisin njeriun për të bërë vepra të këqija, ka dhe shkaqe të tjera që ndikojnë për keq, si nefsi i njeriut që e urdhëron për keq, mjedisi si dhe njerëzit e këqij.

Ndoshta, ata të cilët prangosen prej shejtanëve janë ata më të këqijtë prej tyre. Ky mund të jetë një kuptim tjetër i prangosjes së shejtanëve. Dhe ata të cilët ndikojnë për keq tek njerëzit janë ata shejtanë që janë më pak të keq. Pikërisht, këto janë motivet kryesore që e nxisin myslimanin që të jetë sa më pozitiv dhe të përkushtohet sa më shumë në adhurim. Falja Hyjnore dhe hyrja në Xhenet është më pranë tij. Profeti (a.s.) thotë: “Ju ka ardhë muaji i Ramazanit, një muaj i shenjtë. Në këtë muaj Allahu i Lartësuar ua ka bërë obligim agjërimin. Në këtë muaj hapen portat e qiellit, mbyllen portat e Xhehenemit dhe prangosen më të këqijtë e shejtanëve. Për Allahun në këtë muaj ka një natë që është më e mirë se 1000 muaj. Ai i cili privohet nga mirësia e kësaj nate ai është privuar nga çdo e mirë.”

Hapja e portave të Xhenetit dhe mbyllja e portave të Xhehenemit ndodh që natën e parë të muajit të Ramazanit. Këtë gjë e sqaron Profeti (a.s.) i cili ka thënë: “Në natën e parë të muajit të Ramazanit prangosen shejtanët dhe më të pabindurit prej xhindeve, mbyllen portat e Xhehenemit për mos t’u hapur asnjëra prej tyre dhe hapen portat e Xhenetit për mos t’u mbyllur asnjëra prej tyre. Dikush thërret: O ti që kërkon të mirë, veproje atë. O ti që kërkon të keqen, shmangiu asaj. Për çdo natë tek Allahu ka çlirues nga zjarri.”[9]

Këtë thirrje njerëzit nuk e dëgjojnë, por Profeti (a.s.) na ka njoftuar për atë, për të na treguar mëshirën dhe bujarinë e Allahut ndaj robërve të Tij. Prandaj myslimani duhet që t’i përgjigjet kësaj thirrjeje duke garuar për të bërë vepra dhe punë të mira, duke përfituar sa më shumë që të jetë e mundur nga ky periudhë e bekuar kohe. Po ashtu ai duhet të ruhet që mos të gdhijë gjatë netëve të muajit të Ramazanit që të jetë më aktiv gjatë ditës.

Koha në muajin e Ramazanit mund të konsiderohet prej atyre momenteve dhe çasteve që të shfaqen vetëm një herë gjatë gjithë jetës. Prandaj, i lumtur është ai cili e shfrytëzon kohën duke e mbushur “serberatorin” e tij me sa më shumë vepra të mira. Natën myslimani e shfrytëzon duke falur namazin dhe duke bërë lutje. Ndërsa ditën e shfrytëzon duke agjëruar, lexuar Kur’an, duke dhënë sadaka, ruan lidhjet farefisnore, kërkon dijen dhe vepron vepra të mira. Profeti (a.s) e ka pasur zakon që pasi falte namazin e sabahut, qëndronte në vendfalje derisa lindte dielli. Vetë Profeti (a.s.) ka thënë: “Ai i cili e fal namazin e Sabahut me xhemat dhe pastaj ulet dhe e përmend Allahun derisa të lindë dielli, dhe më pas fal dy rekate, ka shpërblimin e një Haxhi dhe Umreje të plotë, të plotë, të plotë.”[10]

/Elton Harxhi-Drita Islame/


[1]  Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[2]  Sure Zumer: 10

[3] Sure Junus: 58.

[4]  Transmetim nga imam Muslimi.

[5]  Transmetim nga imam Ibnu Hibani. Zinxhiri i transmetimit është i saktë.

[6]  Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi. Një pjesë e këtij hadithi është transmetuar edhe nga imam Ibnu Huzejme në librin e tij të haditheve.

[7]  Hadithi është i saktë.

[8]  Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[9] Transmetojnë imam Et Tirmidhi, Ibnu Maxheh dhe Ibnu Huzejme. Zinxhiri i transmetimit është hasen.

[10]  Transmeton imam Et Tirmidhi. Hadithi është Hasen.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *