Zhvillohet ceremonia e fillimit të punimeve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës

Në sheshin e Namazgjasë, është zhvilluar sot paradite ceremonia e fillimit të punimeve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës.

Ceremonia e organizuar nga Komuniteti Mysliman, mblodhi kryeministrin Sali Berisha, kryebashkiakun Lulzim Basha, krerët e komuniteteve fetare, përfaqësues të bashkësive islame të Kosovës dhe Maqedonisë, zyrtarë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, besimtarë dhe qytetarë të kryeqytetit dhe të rretheve, që kishin ardhur për të marrë pjesë në gëzimin e kësaj dite të bardhë.

Në fjalën e tij të hapjes moderatori Genti Kruja, Drejtor i Kulturës në KMSH  theksoi se “Pas dekadash dhune antifetare të regjimit komunist, para 20 vitesh u hodh një gurthemeli, që nuk iu vu dot më një gur sipër. Por ne sot, me vullnetin e Zotit të Madhëruar dhe me vullnetin e plotë të të gjithë faktorëve, me mbështetjen e bashkisë dhe qeverisë, arritëm që t’i japim fund pritjes shumëvjeçare të besimtarëve të kryeqytetit, duke kurorëzuar të gjitha hallkat me anë të zgjerimit të truallit, daljes së lejes dhe hartimin e një projekti madhështor, i cili do ta zbukurojë Tiranën edhe më shumë, me anë të një kompleksi adhurimi dhe dijeje, xhamisë, qendrës kulturore, muzeut të parë islam në Ballkan, sallës së konferencave, bibliotekës e shumë pjesë të tjera.”

inaugurimi - xhamia e madhe (6)Kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Selim Muça, i emocionuar për arritjen e kësaj dite fatlume u shpreh: “Unë Selim Muça, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë deklaroj dhe dëshmoj para Allahut, Zotit të gjithësisë, se sot, ditën e 20-të të prillit, të vitit 2013, këtu në Tiranë, në tokën vakëf, tradicionale të Namazgjasë, në prezencën e Kryeministrit të Shqipërisë, shkëlqesisë prof. dr. Sali Berisha, të Kryebashkiakut të Tiranës z. Lulzim Basha, të mijëra besimtarëve myslimanë dhe qytetarëve të Tiranës, inaugurojmë sot fillimin e punimeve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Namazgjasë”.

“Namazgjaja ku ne jemi sot, – vijoi z. Muça, – është shprehje e shpirtit të madh e bujar dhe sakrificës së atyre besimtarëve myslimanë që dhanë për fenë e popullin përkushtimin, pasurinë dhe gjithçka që sot e kemi këtu mes tonë.”

Në fund të fjalës së tij, kreu i KMSH-së falënderoi në emër të institucionit dhe besimtarëve familjen Kruja, e cila dhuroi një pjesë të tokës, për të arritur në këtë moment final të nisjes së punimeve.

inaugurimi - xhamia e madhe (8)Kryeministri Sali Berisha, duke e cilësuar këtë datë historike jo vetëm për myslimanët por për të gjithë shqiptarët anekënd botës, u shpreh: “Sot ndahemi nga qëndrime paragjykuese, nga qëndrime të inspiruar kryekëput nga ateizmi dhe ideologjitë e tij, të cilat penguan për 20 vjet ndërtimin e kësaj xhamie, kaq shumë të domosdoshme për besimtarët myslimanë të qytetit të Tiranës, por edhe si një detyrim i madh për të rivendosur të drejtat e shkelmuara, në vendin që meritojnë”.
Ndërsa kryebashkiaku Lulzim Basha theksoi se kjo ditë mbart një simbolikë të veçantë për myslimanët dhe për vetë kryeqytetin, pasi, siç u shpreh ai, me ndërtimin e kësaj xhamie plotësohet mozaiku i objekteve të kultit në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve.

inaugurimi - xhamia e madhe (7)

“Krahas kënaqësisë dhe emocionit të thellë që ndiej sot, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës për nisjen e ndërtimit të kësaj vepre, ndiej po kështu edhe keqardhje për kohën e gjatë që kemi humbur. Jeni dëshmitarë për besimtarët e shumtë, vëllezërit e shumtë që falen në rrugët e Tiranës, në ditë feste apo në ditë të tjera të shënuara dhe kjo vetëm sepse na kishte munguar për një kohë të gjatë, Bashkisë së Tiranës i kishte munguar për një kohë të gjatë besimi, vullneti dhe dashuria për të ndërtuar këtë vepër. Xhamia e Madhe e qytetit, kompleton mozaikun e objekteve të rëndësishme të kultit në kryeqytetin e shqiptarëve dhe shënon një premtim tjetër të mbajtur para njëri-tjetrit dhe Zotit të Madh.”

Kryetari H. Selim Muça, Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, në përmbyllje të ceremonisë kanë firmosur dokumentin themeltar me tekst: “Për inaugurimin e fillimit të Xhamisë së re të Tiranës”, duke i hapur kështu rrugën fillimit të punimeve të këtij objekti të shumëpritur nga myslimanët shqiptarë.

Projekti

Xhamia e re që do të ngrihet në sheshin e Namazgjasë është projektuar nga studio “Hassa” e arkitektit turk Muharrem Hilmi Shenalp, i cili ka projektuar xhami të ndërtuara në shumë vende të botës, si në Tokio (e cila ne 2002 është shpallur një ndër ndërtesat më të mira të saj), në Berlin dhe Këln, Gjermani, etj. Kjo xhami do të jetë një objekt madhështor me katër minare, me një kapacitet faljeje për 5000 besimtarë njëherësh. Ky objekt kulti do të jetë mjaft kompleks, ku do të funksionojnë vende për marrje abdesi për burra dhe gra, qendër kulturore, dyqane, ambiente shërbimi e argëtimi dhe zyra, salla konferencash, muze, etj. Në krah të xhamisë do të ngrihet edhe godina e re e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Arkitektura nga ana funksionale i përgjigjet më së miri kritereve dhe kërkesave të kohës.

Namazgjaja

Dihet se Namazgjaja ka qenë një fushë karakteristike e Tiranës ku myslimanët kanë falur namazet me rastin e bajrameve. Rrënojat e mureve dhe selvitë qindravjeçare flasin për lashtësinë e saj. Besohet se ajo është e vjetër sa vetë Tirana dhe u caktua si e tillë nga Sulejman Pasha që ndërtoi xhaminë me të njëjtin emër dhe që nga banorët autoktonë të Tiranës njihet si “Xhamia e Vjetër”. Kjo fushë është dëshmitare e ngritjes së flamurit më 26 nëntor 1912, si edhe shumë ngjarjeve të rëndësishme të historisë së qytetit.

Këtë ditë kryeqyteti ynë e pret prej 75 vjetësh, kur edhe revista zyrtare e Komunitetit Mysliman “Zani i Naltë” e shtronte si problem në  një kohë kur Tirana kishte vetëm disa mijëra banorë dhe kishte 40 xhami. Sot kjo nevojë shumëfishohet dhe tregues është numri i madh i besimtarëve, të cilët përbëjnë shembullin më të mirë të qytetarit model.

 

TEKSTI I PLOTË I AKT-FIRMOSJES PËR NDËRTIMIN E XHAMISË SË MADHE TË TIRANËS

 

Me emrin e Zotit, të Gjithëmëshirshëm, Mëshirëplotë!

 

Sot me dt. 20 Prill 2013, në Namazgjanë shekullore të Tiranës, në prani të mijëra qytetarëve dhe besimtarëve myslimanë, morën pjesë kryetari i KMSH-së H. Selim Muça, kryeministri i Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha, kryetari i Bashkisë Tiranë z. Lulzim Basha, liderë të komuniteteve fetare, përfaqësues të trupit diplomatik, etj., nënshkruhet ky akt për inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë, si një kompleks multi-funksional, i cili shpresojmë prej Zotit të Madhëruar, që t’i rrezatojë brezave me radhë besim, dashuri dhe dije. 

 

 

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë                                                Kryetari i Bashkisë së Tiranës

                  Prof. Dr. Sali Berisha                                                                                           Lulzim Basha

 

 

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

H. Selim Muça

inaugurimi - xhamia e madhe (2) inaugurimi - xhamia e madhe (3) inaugurimi - xhamia e madhe (4) inaugurimi - xhamia e madhe (5)    inaugurimi - xhamia e madhe (11)inaugurimi - xhamia e madhe (9) inaugurimi - xhamia e madhe (10)  inaugurimi - xhamia e madhe (12) gentiinaugurimi - xhamia e madhe (13)