Zhvillohet seminari mbi të drejtat e njeriut me të rinjtë e zonës Babrru dhe Paskuqan

Është zhvilluar sot në ambientet e Medresesë së Tiranës seminari mbi të drejtat e njeriut me të rinjtë e zonës Babrru dhe Paskuqan.

Ky ishte seminari i radhës i organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë mbi promovimin e vlerave demokratike dhe qytetarisë aktive mes të rinjve.

Në seminar morën pjesë nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Ali Zaimi, kancelari, z. Ylli Cikalleshi, përfaqësuesi i ambasadës amerikane në Tiranë, z. Nathan Haft, koordinatori i projektit, z. Fejzi Shaholli, si dhe asistentët, z. Oltion Kola dhe z. Lauren Luli.

Të rinjtë u njohën më shumë mbi të drejtat e tyre, si t’i vlerësojnë këto të drejta dhe si të ndërmarrin veprime për t’i realizuar ato.

Nënkryetari Zaimi u ndal mbi karakteristikat e të drejtave të njeriut, vlerat, vetitë dhe llojet e saj. “Të drejtat e njeriut janë parimet bazë, pa të cilat njerëzit nuk mund të jetojnë si qenie njerëzore me dinjitet. Njohja e dinjitetit të lindur të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë. Respektimi i tyre bën të mundur progresin e plotë të individit dhe të shoqërisë”, tha ndër të tjera z. Zaimi.

Një këndvështrim mbi ecurinë e të drejtës gjatë historisë së njerëzimit u trajtua nga kancelari i KMSH-së, z. Ylli Cikalleshi. “Çështja e njohjes dhe e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore ka tërhequr vëmendjen e shumë filozofëve, teologëve, politikanëve, juristëve, etj. Si kategori juridike, të drejtat e njeriut janë paraqitur me krijimin e shteteve dhe rregullave të para juridike”, tha z. Cikalleshi.

Gjithashtu të rinjtë pjesëmarrës plotësuan disa pyetësorë mbi të drejtat e njeriut, dhe morën broshura për t’u informuar më shumë mbi këto të drejta.

24 Janar 2015

/Drita Islame/

2-ZK1A0097 3-ZK1A0155 4-ZK1A0143 5-IMG_3218 6-ZK1A00321 7-ZK1A00341 8-IMG_3200 9-ZK1A0100 10-IMG_3303